Nisin hetimet për hyrjen e vaksinave në veri të Kosovës
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, bën me dije se ka nisur grumbullimin e informatave rreth hyrjes së vaksinave kundër Covid-19 në komunat veriore të Kosovës, ka konfirmuar për radion ”Europa e Lirë”, prokurori kryesor në Mitrovicë, Shyqri Syla. Sipas tij janë duke u zhvilluar hetimet dhe mbledhja e informacioneve, për të konstatuar nëse produktet farmaceutike kanë hyrë nga Serbia në Kosovë, përmes rrugëve joligjore ose jo.
“Po hetohet fillimisht hyrja e tyre, sepse nuk mund të themi asgjë pa e ditur se si kanë hyrë, si dhe kush janë personat që i kanë sjellë ato”, ka thënë Syla. Ai ka shtuar se mundësitë për hyrjen e vaksinave nga Serbia në Kosovë, përmes rrugëve joligjore, janë të shumta.
”Nëse ne kemi prova se vërtet ato janë kontrabanduar sepse duhet të ketë një autorizim për përdorimin e këtyre vaksinave dhe nëse ato janë të kundërligjshme, do të nisin procedurat penale kundër atyre personave që i kanë bërë këto punë. Hetimet penale do të nisin pas grumbullimit të hetimeve dhe, varësisht prej të gjeturave, do të fillojnë hetimet penale kundër personave që i kanë kontrabanduar”, ka thënë prokurori Syla.
Më 25 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh.