Njeri i dytë i Selisë së Shenjtë në Kosovë: “Dhashtë Zoti Vatikani ta njohë pavarësinë”

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, do të qëndrojë për dy ditë në Kosovë, ku do ta vizitojë Prishtinën e Prizrenin. Kisha Katolike në vend e sheh këtë vizitë si një mundësi për ndryshim të qëndrimit sa i përket njohjes së pavarësisë së shtetit. Në një prononcim për Express, vikari i Ipeshkvisë, Don Lush Gjergji jep detaje për vizitën

Njeriu i dytë i Kishës Katolike, Kardinali Pietro Parolin këtë vikend do të qëndrojë në Kosovë.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit që shumëkush e sheh edhe si Papën e ardhshëm, pritet që gjatë qëndrimit në Kosovë të marrë pjesë në dy mesha në Prishtinë e Prizren. Në Kosovë shpresojnë që kjo vizitë e tij të sjellë edhe mesazhe politike që mund të ndikojnë në njohjen e Kosovës nga Vatikani.

Vikari gjeneral i Ipeshkvisë në Kosovë, Don Lush Gjergji në një prononcim për Gazetën Express ka bërë të ditur se kjo vizitë vjen pas shpalljes së Dekretit të Papës për Ipeshkvinë Prizren e Prishtinë.

“Është publike vizita e tij, ka qenë më parë edhe delegati apostolik i Papës ku është bërë publik dekreti i Papës për shpalljen e Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë. Kardinali Pietro Parolin vjen për një vizitë pas shpalljes dhe ka me qenë edhe ri shugurimi i Katedralës së vjetër që është meremetuar në Prishtinë”, tha ai.

Sipas Don Lush Gjergjit, ai do të vijë në Kosovë të shtunën e ardshme, derisa të dielën do të ketë meshë në Kateralen Nëna Terezë në Prishtinë si dhe në Prizren, deri sa të hënën do të largohet nga Kosova.

Por, se sa mund të sjellë ndonjë mesazh nga Vatikani për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Don Lush Gjergji shpreson për zhvillime të reja.

“Është gjest vetë ngritja e administraturës në nivelin e Ipeshviksë vetë ardhja e delegatit apostolik të ri vetë ardhja e personalitetit të dytë të Kishës flasin vetvetiu për marrëdhënie të mira dhe dashtë zoti për zhvillime të reja”, deklaroi ai.

Ndryshe dy muaj më parë në Vatikan, Papa Francesku ka emëruar Nuncin e ri Apostolik për Kosovën, Monsinjor Jean-Marie.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte shkruar se denominimi i Dioqezës Prishtinë Prizren, emërtimet e nivelit të lartë të përfaqësuesve janë tregues të avancimit të raporteve në mes të Kosovës dhe të Vatikanit.

E Sekretari i Shtetit të Vatikanit Kardinali Parolin vitin e kaluar ka vizituar edhe Serbinë, aty u diskutua edhe për çështjen e Kosovës. Sekretari i Shtetit kishte takuar patriarkun serb Irinej, me të cilin ai kishte trajtuar çështjen e Kosovës. Irinej kishte lavdëruar pozitën e Vatikanit karshi mosnjohjes së Kosovës.

Takimi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit me Pariarkun Irinej është bërë me 30 qershor të vitit të kaluar. Në të njëjtën ditë, Parolin u takua me presidentin serb Aleksandër Vuciq dhe ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daciq.

Parolin kërkoi që përmes dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit të arrihet një zgjidhje dhe kompromis për Kosovën me qëllim mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit, duke shtuar se Vatikani ndjek me vëmendje të veçantë situatën në rajon dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, duke theksuar se mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë është me rëndësi të veçantë për Këshillin./GazetaExpress

SHKARKO APP