‘Ofrojini luftëtarëve kosovarë “rehabilitim xhihadistësh” për të luftuar ekstremizmin’

Më shumë se 50 kosovarë rrezikojnë burgun nëse shpallen fajtorë për vepra penale të lidhura me luftën në Siri dhe Irak, por ekspertët paralajmërojnë se burgosja e të kthyerve do të bëjë shumë pak për të trajtuar ekstremizmin e dhunshëm.

Nga Ervin Qafmolla, BIRN

Pak dihej për luftëtarët xhihadistë kosovarë deri në verën e vitit 2014, kur shërbimet e sigurimit arrestuan papritur dhjetëra terroristë të dyshuar, përfshirë edhe disa imamë. Që prej asaj kohe, janë bastisur më shumë se 100 vendndodhje në të gjithë vendin.

Pak njerëz ishin në dijeni të numri të shqiptarëve etnikë të Kosovës që besohej se luftonin me Shtetin Islamik, ISIS-in apo me Al Nusran e Al Kaedës në Siri dhe Irak. Nëntorin e kaluar qeveria njoftoi se rreth 300 kosovarë luftonin për grupet xhihadiste ose jetonin në territorin e kontrolluar nga ISIS.

Të njëjtin muaj, kryeministri Isa Mustafa dhe zyrtarë të sigurisë njoftuan “gjendje gatishmërie” me shpjegimet se Kosova përballej me “rreziqe reale të lidhura me terrorizmin”. Ata refuzuan të jepnin detaje të mëtejshme për seriozitetin e kërcënimit, por konfirmuan se ai lidhej drejtpërdrejtë me ekstremizmin islamik.

Tre muaj më vonë, Mustafa i tha të pranishmëve në një konferencë sigurie në Prishtinë se numri i luftëtarëve kosovarë në Siri dhe Irak ishte “ulur në më pak se 70”.

Qeveria s’e ka bërë publike se sa kosovarë janë kthyer në vend pas luftës me grupet xhihadiste në Lindjen e Mesme, por Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, QKSS, vlerëson se rreth 160 ish-luftëtarë janë kthyer në shtëpi.

Më shumë se 50 nga ata që janë akuzuar se kanë kryer vepra të paligjishme të lidhura me luftimet në Siri dhe Irak po përballen tashmë me gjyqin dhe pjesa më e madhe janë akuzuar se janë i bashkuar dhe kanë marrë pjesë në grupe terroriste apo kanë nxitur të tjerë për ta bërë këtë.

Kosova miratoi reforma ligjore në mars të vitit 2015, të cilat e bënë në shumicën e rasteve luftimin në konflikte të huaja një vepër penale që dënohet deri në 15 vite burg. Duke qenë se shumica e të dyshuarve që janë aktualisht në gjyq akuzohen se kanë luftuar në Siri dhe Irak në vitin 2013 ose 2014, nuk mund të gjykohen sipas legjislacionit të ri. Në vend të kësaj, ata janë akuzuar sipas ligjeve të vjetra kundër terrorizmit.

Pavarësisht një ulje të ndjeshme të numrit të kosovarëve që nisen për në Siri dhe Irak – gjë që mendohet se ka ardhur si rezultat i ligjeve të rejave dhe një ndërgjegjësimi më të madh të aktiviteteve të ISIS-it – mesa duket, disa vazhdojnë të përpiqen ta bëjnë këtë.

Dy burra dhe një grua, të gjithë rreth të njëzetave, u ndaluan nga autoritetet turke në fund  të vitit të kaluar në kufirin me Sirinë dhe u rikthyen në Kosovë. Ata janë akuzuar për “pjesëmarrje në organizata terroriste”. Te tre i mohojnë akuzat.

Arrestet e shtëpisë “të zbatuara keq”

Luftëtarët e kthyer, shumë nga të cilët me përvojë në fushëbetejë dhe të stërvitur në përdorimin e armëve dhe eksplozivëve, shihen gjerësisht si një kërcënim sigurie. Kështu që fakti se të paktën 35 të kthyer që dyshohen se kanë luftuar me ISIS-in dhe Al Nusran s’janë në paraburgim ndërkohë që vazhdojnë gjyqin, ka ngjallur habi në Kosovë.

Kritikët vënë re se arrestet e shtëpisë dhe mandatet e kontrollit nuk janë të përshtatshme  për të dyshuar me rrezik të lartë dhe, si të tillë, nuk zbatohen me rigorozitet në Kosovë. Gjykata e Shkallës së Parë në Prishtinë konfirmoi se pesë të dyshuar janë vënë pas hekurave pasi kishin shkelur arrestin e shtëpisë apo kushtet e urdhrit të kontrollit.

Madje, disa mendohet se janë larguar nga vendi ndërkohë që kanë qenë në arrest shtëpie, duke përfshirë Bekim Mulollin, i cili po përballet me akuza për terrorizëm të lidhura me sulmin ndaj dy misionarëve katolikë amerikanë në Prishtinë.

Mulolli e pranoi sulmin ndaj misionarëve dhe shprehu pendim, por prokuroria e kishte zgjeruar hetimin dhe e akuzoi atë për vepra të tjera terrorizmi. Ai u la në arrest shtëpie në shkurt të vitit 2015, por u zhduk më vonë po atë vit.

Flitet se ai është vrarë gjatë luftimeve në Siri, sipas një deklarate të bërë në dhjetor nga gjykatësja e çështjes, Nora Bllaca. Autoritetet s’kanë mundur të verifikojnë nëse Mulolli ka vdekur vërtet në Siri.

Disa të dyshuar janë lënë të lirë dhe iu është kërkuar t’i raportojnë rajonit policor lokal çdo javë. Kosova nuk u kërkon të dyshuarve të mbajnë byzylykë elektronikë në këmbë në mënyrë që lëvizjet e tyre të monitorohen.

Kreshnik Gashi, ekspert ligjor dhe prezantues i programit televiziv Drejtësia në Kosovë, e përshkruan vendimin për të lënë të lirë kaq shumë të dyshuar si “të çuditshëm, duke marrë parasysh se policia nuk i zbaton edhe aq mirë masat e arrestit në shtëpi”.

“Zakonisht, verifikimi i vetëm është një vizitë një herë në ditë e policëve të rajonit ku figuron emri i të dyshuarit. Imagjinoni se ku mund të shkojë brenda 24 orëve një person,” thotë ai.

“Prano fajin ose rri në burg”

Ndërkohë që shumë shqetësohen se të dyshuarit që mund të përbëjnë një kërcënim të vërtetë për sigurinë nuk monitorohen mirë ndërkohë që janë në arrest shtëpie, avokatët kanë shprehur gjithashtu shqetësime se klientëve të tyre po u bëhet presion i madh që të shpallen fajtorë për të shmangur mbajtjen në paraburgim gjatë kohës që dalin në gjyq.

Gëzim Baloku po përfaqëson Artan Kadriun, i cili akuzohet për “organizim dhe pjesëmarrje në organizata terroriste”. Kadriu përfundimisht e pranoi fajësinë, u lirua nga paraburgimi dhe u la në arrest shtëpie.

“Kjo do të thotë “prano fajësinë dhe ne do të të lëmë të dalësh nga burgu”. Kjo s’është e drejtë. Po i bëhet shantazh të dyshuarit,” thotë Baloku.

Hilmi Zhitia, një avokat i cili ka qenë prokuror i përgjithshëm kur Kosova ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, ka kritikuar gjithashtu lirimin e të dyshuarve, disa prej të cilëve thuhet se janë akuzuar pavarësisht provave të pamjaftueshme të veprës penale, mesa duket, në shkëmbim të pranimit të fajësisë.

“E kanë kthyer burgun një formë shantazhi dhe gjykata s’është e aftë të vlerësojë nëse një i dyshuar që pranon fajësinë është i akuzuar në bazë të ndonjë prove konkrete,” thotë ai.

Shpend Kursani, një studiues i asociuar në QKSS, beson se disa ndjekje penale janë nisur “me nxitim dhe me pak prova”, duke thënë këtë sugjeron se politikanët po përpiqen të duken sikur po e adresojnë problematikën.

Disa padi të para nga BIRN janë vetëm disa paragrafe të gjata dhe duket se mbështeten vetëm në tekste mesazhesh të dërguara të dyshuarve, por pa përgjigje, apo dëshmi të ndonjë dëshmitari.

BIRN kontaktoi disa herë me Zyrën e Prokurorit Special në Kosovë për një përgjigje për këto akuza, por ende s’ka marrë asnjë përgjigje.

Përveç shqetësimeve për mënyrën si janë menaxhuar ndjekjet penale, Skënder Perteshi, studiues dhe oficer projekti në QKSS, paralajmëron se ligjet e reja në vetvete nuk kanë gjasa t’i ndalojnë kosovarët që të nisen në fushëbetejat e Sirisë dhe Irakut “të cilët nuk kanë shumë respekt për ligjet e qeverisë që nuk lidhen me vizionin e tyre të Sharia (ligj).”

Nevoja për një program gjithëpërfshirës anti-ekstremist është pranuar nga qeveria, e cila ka publikuar strategjinë e saj zyrtare – Parandalimi i Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizimit që Çojnë drejt Terrorizmit 2015 – 2020 – në shkurt të këtij viti. Propozimet përfshijnë masa jashtë agjencive të zbatimit të ligjit për të trajtuar radikalizmin, përfshirë edukimin fetar dhe fushatat e ndërgjegjësimit.

Strategjia pranon faktin se xhihadistët janë motivuar nga faktorë të ndryshëm, përfshirë ideologjinë, ndjenjën e padrejtësisë ndaj mizorive të kryera në Siri dhe Irak, propagandën, një dëshirë për aventurë dhe mundësinë e marrjes së një roli udhëheqës, çka është e pamundur që ta arrijnë në vendin e tyre.

“Radikalët shfrytëzojnë të rinjtë e zhgënjyer”

Duke deklaruar se paraja nuk është një faktor kyç për radikalizmin, strategjia thekson se normat e larta të papunësisë dhe varfërisë në Kosovë janë faktorë ndikues. Norma e papunësisë sipas Agjencisë Shtetërore të Statistikave është 35% dhe papunësia e të rinjve arrin në 65%.

Perteshi, nga QKSS thotë se ekstremistët kanë mundur të shfrytëzojnë të rinjtë e zhgënjyer, të margjinalizuar dhe të paarsimuar, për shkak të mungesës së përpjekjeve nga ana e shtetit për të përmirësuar jetën e rinisë kosovare.

“Arsimimi është dëmtuar… kjo ka rezultuar në një mungesë mendimi kritik midis nxënësve,” thotë ai. “Nuk duhet të harrojmë që Kosova ka popullsinë më të re në Evropë dhe kjo vjen me përgjegjësi ndaj popullsisë më të re. Të rinjtë duhet të ndihen të rëndësishëm dhe të dobishëm për vendin e tyre. Ata duhet të jenë të aftë të kanalizojnë energjinë dhe dëshirat e tyre.”

Perteshi thotë gjithashtu se shumë xhihadistë në fakt ishin të rinj për Islamin dhe kishin marrë shumë pak mësime fetare. QKSS-ja vlerëson se rreth 70 për qind e atyre që luftuan në Siri dhe Irak vinin nga familje që ishin myslimanë praktikantë.

“Ata (luftëtarët e rinj xhihadistë) iu referoheshin dijetarëve të paaftë, të dyshimtë dhe radikalë,” thotë ai.

Komuniteti Mysliman i Kosovës, KMK, është përgjegjës për emërimin e imamëve dhe mbikëqyrjen e çështjeve fetare. Ai ka tërhequr shumë kritika për dështimin e tij në adresimin e çështjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe predikimit radikal.

Perteshi pajtohet se KMK-ja ishte e ngadaltë në reagim, por thekson se ende nuk ka mandat zyrtar për të zbatuar rregulloren e xhamive dhe imamëve. Legjislacioni që rregullon institucionet fetare ende nuk është miratuar, pavarësisht se ka qenë temë debatesh për 10 vjet.

“Mungesa e një ligji që rregullon bashkësitë fetare në Kosovë ka shfuqizuar kompetencat ekzekutive të KMK-së, përfshirë ato mbi vetë imamët e tij. KMK mund të vendosë vetëm të mos e paguajë një imam, por nuk mund t’i pushojë ata nga puna,” thotë ai.

Në përgjigje të kërkesës së BIRN për komente mbi rolin e tij në parandalimin dhe trajtimin e ekstremizmit, KMK-ja dërgoi një deklaratë me shkrim duke theksuar se i kishte denoncuar publikisht veprat e ekstremistëve të dhunshëm ndërsa theksonte se “nuk ka kompetenca ekzekutive”.

“Grupet ekstremiste janë kundër mësimeve islamike. Kuranit dhe trashëgimisë së Profetit Muhamed, i cili e ndalonte qartazi marrjen e jetës së një të pafajshmi… (këshillon KMK)…të gjithë besimtarët myslimanë nuk duhet të bien pre e kësaj propagande jo-islamike. Islami është një fe paqeje, jo dhune. Ai nuk predikon dhunë,” thuhet në deklaratë.

Ekrem Avdiu, imami i një xhamie në qytetin e Mitrovicës në Kosovën veriore, pranon “se de-radikalizimi i individëve mund të arrihet, por duke sjellë imamët e duhur në lojë”, por thotë se qeveria duhet të mbajë një pjesë të përgjegjësisë për dështimin në kundërvënien e ekstremizmit të dhunshëm.

“Nëse 300 të rinj shkojnë të luftojnë në Siri, përgjegjësia bie fillimisht mbi strukturat e sigurisë. Institucionet shtetërore duhet të pyesin veten se çfarë nuk shkoi si duhet,” thotë ai.

“Reklamë falas për ISIS”

Ai Avdiu ashtu edhe Kursani janë të dy kritikë ndaj disa mediave që ata besojnë se i kanë bërë ISIS-it marketing falas.

“Media të papërgjegjshme u ofrojnë reklamë falas ISIS-it duke riprodhuar dhe shpërndarë materialet e tyre propagandistike,” thotë Kursani.

Ekrem Avdiu beson se disa media dhe gazetarë kanë marrë “një qëndrim gjithnjë e më agresiv”.

“Disa … shpesh përfshihen në raportim të papërgjegjshëm, duke përdorur fjalë ofenduese dhe madje edhe gjuhë urrejtjeje që shënjestron myslimanët. Në vend që të përpiqen të kuptojnë më mirë dhe të krahasojnë mësimet islame me veprimet e ekstremistëve për hir të informimit të publikut dhe të kontribuojmë në luftën kundër ekstremizmit, ata zgjedhin të nxitin frikë dhe ndarje në shoqëri. Praktikisht, çdo njeri me mjekër portretizohet si terrorist,” thotë ai.

Perteshi nga QKSS rënë dakord se para bastisjeve nga ana e policisë nuk kishte pasur asnjë “diskutim të vërtetë se kosovarët nuk duhet të bëhen pjesë e kësaj lufte, përfshirë edhe rregullat islame për të marrë pjesë në xhihad”.

Ndërsa luftëtarët e kthyer që konsiderohen se përbejnë një kërcënim të sigurisë, thonë ekspertët, duhet të trajtohen në kuadër të sistemit të drejtësisë, të tjerët janë të shqetësuar se qeveria ka qenë e ngadaltë në sigurimin e vlerësimeve çështje pas çështjeje mbi faktin nëse të kthyerit përbëjnë një rrezik.

“Nëse dikush ka shkuar në Siri për të luftuar dhe është kthyer pas një kohe të shkurtër, ndoshta i zhgënjyer, a është logjike (për ata) që t’i nënshtrohet masave represive ose të përfshihen ne një program rehabilitimi?” pyet Avdiu.

Strategji kundër ekstremizmit e qeverisë përshkruan propozime për t’i vlerësuar të kthyerit individualisht dhe për të ofruar programe rehabilituese brenda dhe jashtë burgjeve, por ekspertët thonë se një plan gjithëpërfshirës duhet të zbatohet me urgjencë.

Kursani nga QKSS thotë se kërcënimi për t’i futur në burg jo vetëm do t’i pengojë luftëtarët – përfshirë ata të zhgënjyer nga ISIS dhe Al Nusra – të kthehen në shtëpi, por gjithashtu mund të rezultojë në pasoja të paqëllimshme dhe të padëshiruara. Ai e përshkruan burgosjen e të kthyerve thjesht si “ta hedhësh përkohësisht granatën poshtë qilimit”.

Kolegu i tij, Perteshi, thekson se ka indikacione se disa të kthyer të zhgënjyer po radikalizohen përsëri pasi janë futur në burg.

“Ky është një problem i vërtetë. Nevojitet një plan konkret për t’u përballur me luftëtarët e kthyer. Burgu s’është një zgjidhje universale për këtë problem dhe në disa raste kjo mund të rezultojë të jetë edhe kundër produktive,” paralajmëron ai.

SHKARKO APP