Osmani akuzon Serbinë se po kryen spastrim etnik në Luginën e Preshevës
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka akuzuar Serbinë se është duke kryer spastrim të heshtur etnik ndaj shqiptarëve në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc.
Në një shkrim në Facebook, Osmani shkruan se autoritetet serbe, në katër vitet e fundit, kanë ‘pasivizuar adresat’ e mbi 4,000 shqiptarëve të Medvegjës nga regjistri civil.
Ky veprim, sipas saj, është vërejtur edhe në dy komunat e tjera me popullsi shqiptare, Bujanoc dhe Preshevë.
“Përmes ‘pasivizimit të adresave’ të vendbanimit, shteti serb bën largimin përfundimtar të shqiptarëve nga regjistri civil i Serbisë, duke ua pamundësuar marrjen e dokumenteve të reja, të drejtën e qasjes në shërbime mjekësore ose asistencë sociale, e madje edhe i largon nga lista e votuesve, që u pamundëson pjesëmarrjen në zgjedhje.”- shkruan Osmani.
Ajo kërkoi nga institucionet e Kosovës që të mos heshtin në raport me këto veprime të shtetit serb, derisa tha se një shtet si Serbia, që, sipas saj, “aktivisht angazhohet në spastrim etnik”, nuk e meriton anëtarësimin në Bashkimin Europian.