Osmani: S’formoj parti të re
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, e cila shpalli kandidaturën e saj për kryetare të LDK-së, në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë se ajo që ka ndodhur në kuvendin e LDK-së nuk e ka surprizuar. “Unë nuk jam befasuar nga ajo që ka ndodhur. Diçka të tillë e prisja. Ata nuk e patën guximin që të mateshin në votim të fshehtë. Unë jam luftuar nga partia, por kjo nuk më ka lëkundur”, është shprehur Osmani.
“Tani kam më shumë takime, sesa që kisha para kuvendit zgjedhor. Me shumicën e atyre që jam takuar deri më tani kemi gjetur emëruesin e përbashkët, që nuk do të ndalemi derisa ta bëjmë LDK-në demokratike”, ka deklaruar deputetja e LDK-së. “Mustafa ndau degën për shkak të problemeve të tij. Të gjithë delegatët e degës së tret, ku përfshihem edhe unë janë zgjedhur me votim të fshehtë”.
Lënien pas dyerve të mbyllura të delegatëve nga Gjermania dhe Zvicra, në ditën kur po mbaheshin zgjedhjet e LDK-së Osmani e ka cilësuar si kriminale. “Në LDK nuk është e rëndësishme Vjosa por procesi. Sjellja e LDK-së ndaj diasporës ishte krim. Unë kam qëndruar një kohë të gjatë me ta duke shpresuar se sekretari i partisë do t’ua lejojë hyrjen, qoftë edhe vetëm si mysafirë. Atë ditë në sallë kishte njerëz që nuk janë fare delegatë”, ka pohuar Osmani.
Mënyrën se si do të zgjidhej kryetari i LDK-së, Osmani ka thënë se e ka ditur kohë më parë dhe se e ka deklaruar publikisht. “E vetmja mënyrë për të hyrë në procedurë të votimit, ka qenë nëse janë dy delegatë. Kur dy kandidatë do të shpalleshin, atëherë do të përgatiteshin fletëvotimet dhe do të fillonte votimi i fshehtë. Qëllimi që në fillim ishte që të bllokohej kandidatura me aklamacion, këtë e kam ditur dhe e kam thënë publikisht.” Ajo ka deklaruar se kandidimi i saj është bllokuar për faktin se ajo është femër dhe kjo dihet publikisht pasi e ka thënë kryetari i një dege.
“Është thënë publikisht se Vjosa Osmani nuk mund të jetë kryetare sepse është femër. Ju gazetarët mund të hulumtoni dhe të zbuloni se cili ishte kryetari i degës që e ka bërë këtë deklaratë”. Osmani ka deklaruar se para se të mbaheshin zgjedhjet ajo e kishte përkrahjen e kryetarëve të degëve të LDK-së në komunat e Kosovës, por ata kanë ngurruar në votimin e hapur. “Nga kontaktet që ne kemi pasur me delegatët, na është thënë se do ta keni përkrahjen e plotë në votim të fshehtë, kurse në votim të hapur nuk mund t’ju mbështesim”.
Osmani ka deklaruar se kishte konstant kishte biseduar me Fatmir Sejdiun për të arritur një marrëveshje dhe se ai nuk i ka bërë premtime konkrete”. Me Sejdiun kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm, në mënyrë që të arrinim një marrëveshje. Qëllimi ishte që të dilnim publikisht në mënyrën që të përfaqësonim të gjitha gjeneratat e LDK-së. Ai nuk më ka premtuar asgjë konkretisht rreth kandidimit dhe zgjedhjes time”. “I kam kërkuar Mustafës garim fer. Ai ka ngulmuar në zgjedhje të hapura për shkak se i është frikësuar konkurrencës nga unë”.
“Reforma nuk e kishte emrin e Vjosa Osmanit, por të kryesisë së LDK-së. Reformimi është kërkesë e kryesisë së partisë dhe ne nuk do të ndalemi derisa ta arrijmë. Nuk do më largojnë nga LDK-ja për shkak se kontributi dhe veprimtaria në parti nuk lidhet me pozitat kryesuese në asnjë organ”. Duke folur për raportin e saj me kryetarin e rizgjedhur Isa Mustafën, Vjosa Osmani e ka mohuar që mes tyre aktualisht kontakte. “Nuk kam kontakt me Isa Mustafën që nga dita që kanë filluar zgjedhjet”. E pyetur se nëse do të jetë ajo figura kryesore e një partie të re në skenën politike të Kosovës, ajo ka deklaruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. “Nuk do të formoj parti të re. Unë jam anëtare e LDK-së dhe deputete e saj në Kuvendin e Kosovës”.