Osmani: Veç qeveria e përfaqëson vendin në dialogun me Serbinë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se në dialogun me Serbinë, vetëm qeveria mund ta përfaqësojë vendin. Këto komente ajo i bëri pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

“Natyrisht që në emër të Kuvendit të Kosovës, shpreha gatishmërinë tonë që si kuvend të luajmë një rol sa më të fuqishëm mbikëqyrës mbi qeverinë e cila është e vetmja që duhet ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Potencova sërish që presim që ky dialog të jetë mes dy palësh të barabarta dhe se ka kuptim në qoftë se përfundon me njohje të ndërsjellë”.

Nga ana tjetër, Osmani tha se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të diskutohet për territorin e Kosovës, sovranitetin dhe rendin e brendshëm kushtetues të Kosovës, pasi sipas saj, ky proces do të sillte rezultate të pazbatueshme në terren.

 

SHKARKO APP