Pacolli kritika BE-në: Ne pa viza, Serbisë i jep 7.5 milionë euro ndihma

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, akuzoi Bashkimin Evropian se po përdor standarde të dyfishta në lidhje me Kosovën dhe Serbinë.

Kreu i AKR-së në një reagim të tij në “Twitter” ka vendosur dy fotografi në të cilat shihet shefja e Zyrës së BE’së në Kosovë teksa i premton ministrit Vitia vetëm lehtësim pas situatës së krijuar nga COVID-19, dhe në tjetrën fotografi shihet shefi i Zyrës së BE-së në Serbi, Sem Fabrizi, teksa njofton se BE i ka ndarë Serbisë 7.5 milionë euro ndihma.

Ish-ministri pyeti nëse edhe Kosova duhet ta kritikojë Bashkimin Evropian për të marrë vëmendjen e Brukselit.

Sipas kreut të AKR-së një qasje e tillë e BE-së dëmton politikën e jashtme të Brukselit. Ai përveç tjerash ka përmendur edhe çështjen e liberalizimit të vizave.

Megjithatë të enjten nga Zyra e BE-së në Kosovë kanë paralajmëruar se do të ndajnë fonde edhe për Kosovën pas situatës me COVID-19.

SHKARKO APP