Pacolli: Mohuesit e krimeve të luftës në Kosovë do të shpallen të padëshirueshëm

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, deklaron se do t’u ndalojë hyrjen në Kosovë dhe do t’i shpallë të padëshirueshëm të gjithë zyrtarët serbë, që mohojnë krimet e luftës në Kosovë.

Reagimi i tij në Twitter të dielën e 5 majit, erdhi pas një interviste të shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, dhënë një mediumi rus ku ai e thekson se “ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejtë i bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe”, duke e cilësuar si “arsyetim të rrejshëm” masakrën në atë fshat ku qenë vrarë 45 civilë shqiptarë më 15 janar të vitit1999.

“I pështirë dhe absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës së Recakut nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili shërbeu si zëdhënës i partisë së (Sllobodan) Millosheviçit në vitet ’90. Zëdhënësi i Millosheviçit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar. Serbia kreu krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Evropë që nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve”, shkroi ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

SHKARKO APP