“Padia e Ramës ndaj Haradinajt mund të reflektojë në distancën mes dy popujve”
Edhe pse marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë përtej dy kryeministrave, për analistin nga Kosova Rron Gjinovci në të ardhmen kjo mund të reflektojë në distancën mes dy popujve.
Rron Gjinovci: Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës mendoj se janë përtej kryeministrave të tyre. Mendoj se janë marrëdhënie mes dy popujve që kanë një kulturë të njëjtë ose shumë të ngjashme. Megjithatë kjo bën dëm në marrëdhëniet institucionale që i kanë dy vendet, që në të ardhmen mund të reflektojnë edhe në distancën mes dy popujve.
I ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Gjinovci foli edhe për situatën politike në Kosovë, për të cilën tha se gjasat janë se vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.
Rron Gjinovci: Kjo është herë e parë që negociohet mes partive pa ndërmjetësues ndërkombëtar dhe siç duket nuk janë pjekur kushtet që këto negociata të zhvillohen vetëm ndërmjet partive. Në fillim kishte diskutime për parimet qeverisëse, kur erdhi puna për ndarjen e përgjegjësive partitë nuk po merren vesh. Me refuzimin e fundit të LDK për një ofertë të VV ka shumë gjasa që ne të shkojmë në zgjidhje sërish.