Siç ka raportuar Radio Evropa e Lirë, Lista Studentore zotohet të angazhohet për mbajtjen e Kosovës brenda Serbisë, duke iu referuar Kushtetutës serbe dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Do ta kundërshtojmë në mënyrë të vazhdueshme pavarësinë e shpallur njëanshëm të së ashtuquajturës Republikë të Kosovës dhe nuk do të lejojmë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”, thuhet në program.
Çfarë qëndrimi ka Lista Studentore ndaj Kosovës?
Dokumenti kërkon që të gjitha marrëveshjet t’i nënshtrohen vlerësimit të kushtetutshmërisë dhe e cilëson të papranueshëm zbatimin e dispozitave që bien ndesh me Kushtetutën.
Lista premton gjithashtu ndjekjen penale të përfaqësuesve të pushtetit për vepra të mundshme penale të lidhura me lidhjen dhe zbatimin e marrëveshjeve që ajo i përshkruan si jokushtetuese dhe në dëm të Serbisë.
Megjithatë, në këtë pjesë të programit nuk identifikohen marrëveshje konkrete dhe nuk shpjegohet se si do të ndikonte ky shqyrtim në angazhimet e Beogradit në dialogun me Prishtinën.
Për serbët në Kosovë, programi synon “lidhjen administrative të vendbanimeve me popullsi serbe” me komunat me shumicë serbe dhe sigurimin e “autonomisë sa më të madhe” ndaj institucioneve të Prishtinës.
Ai parashikon edhe mbrojtjen e institucioneve arsimore, shëndetësore, sociale dhe kulturore serbe, si dhe të trashëgimisë fetare dhe pronës së Kishës Ortodokse Serbe.
Rusia: Partneritet dhe refuzim i sanksioneve
Qëndrimi ndaj Rusisë është i shprehur qartë: Lista Studentore premton ruajtjen e “partneritetit tradicional”, përfshirë bashkërendimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për çështje që lidhen me integritetin territorial të Serbisë shkruan ndër të tjera radio “Europa e Lirë”.
“Republika e Serbisë do ta ruajë qëndrimin parimor për mosvendosjen e masave kufizuese ndaj Federatës Ruse”, thuhet në program.
Dokumenti e arsyeton kundërshtimin ndaj sanksioneve me dyshimet për efektshmërinë e tyre dhe pasojat për popullsinë, duke iu referuar edhe përvojës historike të Serbisë.
Nikola Xaviereff-Weckwerth, ekspert për Ballkanin nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, nuk pret ndryshim të menjëhershëm të qëndrimit ndaj Moskës.
“Me gjasë nuk do të vendosin sanksione ndaj Rusisë, përveç nëse ka ndonjë presion jashtëzakonisht të madh nga Bashkimi Evropian”, tha ai për Radion Evropa e Lirë pas zgjedhjeve.
Në të njëjtën kohë, lista shpreh mbështetje për integritetin territorial të të gjitha shteteve sovrane, përfshirë Ukrainën, dhe angazhim për përfundimin e luftës e zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve.
Programi nuk përcakton masa konkrete për të mbështetur këtë qëndrim ndaj Ukrainës, por thotë se Serbia duhet të zhvillojë marrëdhënie sa më të mira me të dy popujt.
Në mesin e vitit, në njërin prej tubimeve, Lista Studentore publikoi edhe Memorandumin për Kosovën, në të cilin Kosova trajtohet si “pjesë e patjetërsueshme dhe përbërëse e Republikës së Serbisë”.
