Pasi vrau prindërit dhe vëllezërit, efektivja piu kafe në një lokal
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka shprehur keqardhjen për rastin tragjik që ka ndodhur në Gjilan. ”Fatkeqësisht kemi pasë një rast shumë të rëndë dhe të ndjeshëm. Në Gjilan është shuar një familje, pesë anëtarë të një familje nuk jetojnë më. Në mesin e këtyre pesë anëtarëve të një familje është një police e Policisë së Kosovës, e cila ka punuar së fundmi në Stacionin Policor në Gjilan dhe e cila e dimë sigurt që ka bërë vetëvrasje rreth orës 12:40 gjatë ditës”.
Qalaj ka folur edhe për pistat e mundshme që tregojnë se si ka ndodhur ky rast tragjik, vrasje e katërfishtë dhe vrasje. ”Drejtoria e Krimeve të Rënda është duke e hetuar rastin nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan. Mund të them që njëra nga të dyshuarat apo e dyshuara kryesore është zyrtarja policore, mirëpo duhet të presim të gjitha ekzaminimet që i bën Njësiti i Forenzikës në vendin e ngjarjes dhe hetimet nga Drejtoria e Krimeve të Rënda”.
Nga ana tjetër, ka thënë se ”Është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, janë marrë të gjitha evidencat që duhet të merren. Duhet që elementet që janë marrë nga vendi i ngjarjes dhe rezultatet që dalin nga obduksioni i Mjekësisë Ligjore të na përputhen në mënyrë që të bëjmë një konstatim. Atë që mund të them lirisht është se dyshimet tona janë që të katër anëtarët e familjes dyshohet që janë vrarë në orët e hershme të mëngjesit, derisa zyrtarja policore ka bërë vetëvrasje gjatë pjesës së parë të ditës”.