“Pavarësinë nuk e negociojmë, Serbisë nuk i kemi borxh”

Qytetarë të të gjitha moshave, nga qendra të ndryshme të Kosovës, ju përgjigjën pozitivisht këtë të shtunë thirrjes së lëvizjes Vetëvendosjes, për të protestuar kundër propozimit të presidentit Hasim Thaçi për «korrigjimin e kufijve», si zgjidhje përfundimtare që do t’i jepte fund konfliktit në mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga Arta Berisha

Në orën 13:15 në kafen e njohur, pranë objekteve qeveritare të Kosovës, kamerieri njofton klientët se shërbimet do të përfundojnë në orën 13:30. Ai nuk e zgjat më gjatë bisedën, as mysafirët e lokalit nuk pyesin për arsyen. Nganjëherë disa situata nënkuptohen. Vetëm gjysmë ore më vonë, në orë 14:00, do të fillojë protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për shkak të propozimit të tij për, siç thuhet, «korrigjimin e kufijve».

Sheshet kryesore të Prishtinës ende janë të zbrazëta. Bien në sy dhjetëra pjesëtarë të policisë, të cilët pozicionohen në oborrin e qeverisë së Kosovës. Policë të tjerë shpërndahen rrugëve të kryeqytetit për të siguruar lëvizjen e lirë të protestuesve, duke përfshirë edhe ridrejtimin e trafikut përgjatë marshutës së protestuesve.

Mijëra qytetarë nga qendra të ndryshme të Kosovës që kishin ardhur me autobusë të organizuar nga lëvizja Vetëvendosje u tubuan fillimisht në oborrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare. «Jam këtu për t’u bërë vërejtje dhe për t’u thënë pushtetarëve ‘bollni ma’, me të mirë, se nesër pasnesër nuk do t’ju durojmë, jam këtu për të mirën e fëmijëve të mi dhe gjeneratave të ardhshme», thotë Ibro Musliu, një 80-vjeçar, pensionist nga Prishtina.

Aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje ndërsa mobilizohen për ta drejtuar marshin protestues drejtë sheshit Skënderbeu, shpërndajnë pankarta dhe flamuj të shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në mesin e 115 flamujve të shteteve mike dhe dhjetëra flamujve të tjerë kombëtarë, një flamur i Kosovës është vështirë i dukshëm.

Kjo duket se nuk është shumë e rëndësishme për ata qytetarë që nuk mbajnë flamuj, as pankarta në duar. Qëllimi i pjesëmarrjes ka adresë dhe është i shkëputur nga simbolet. «Unë kam dalë si qytetar i lirë, jo si anëtar i ndonjë partie, kam dalë kundër pazareve dhe bisedimeve të cilat po bëhen në lidhje me kufirin e Kosovës», shprehet Hysni Jashari nga Prishtina.

Siç ndodhë rëndom në protesta të lëvizjes Vetëvendosje, në ballë është Albin Kurti, themelues dhe kryetar i Vetëvendosjes; këtë herë i shoqëruar nga deputetja Saranda Bogujevci dhe anëtarë e deputetë të tjerë të partisë. Ndonëse me moton «Një popull s’i nënshtrohet një njeriu», parulla kryesore e saj duket se ishte: «Jo pazare me troje kombëtare». Kjo ishte edhe brohoritja e vazhdueshme e protestuesve. «Pavarësinë nuk e negociojmë, Serbisë borxh nuk i kemi», tha Albin Kurti në fjalimin e tij para mijërave qytetarëve.

Ai adresoi kritika të forta ndaj presidentit Hashim Thaçi jo vetëm për procesin e dialogut me Serbinë. Kurti ia faturoi Thaçit edhe keqqeverisjen, korrupsionin dhe nepotizmin në Kosovë. «E sikur skamja e korrupsioni të mos mjaftojnë, na u shfaq presidenti me kërkesën për kompromis të dhimbshëm, nëse kufijtë korrigjohen me dhimbje për neve, atëherë ky nuk është korrigjim, për gabim shtese», shtoi Kurti.

Ashtu siç kishin paralajmëruar, në protestë morën pjesë edhe dy deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli si dhe deputeti i pavarur Korab Sejdiu. «Tendenca për ndarje dhe për ndryshim kufijsh e rrezikon vetë qenësine e shtetit të Kosovës dhe kur rrezikohet të zhbëhet shteti, e kemi detyrim qytetar t’i themi – jo», deklaroi deputetja Osmani një ditë më parë. Protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosjes e cila duket se nuk do të jetë e fundit për këtë qëllim, përfundoi pa asnjë incident dhe nën tingujt e muzikës vendore rep.

Dialogplus.ch

SHKARKO APP