PDK përplaset me procesin e konstituimit: “Nuk marrim pjesë në seanca”, çështjen e çojmë në Kushtetuese
Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të marrë më pjesë në seancat e Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po pengon procesin e konstituimit.
Në një deklaratë, PDK argumenton se janë shkelur afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe se LVV ka vendosur vazhdimisht kushte të reja politike për përfundimin e këtij procesi.
Sipas PDK-së, Kuvendi duhej të konstituohej brenda afatit 30-ditor, jo më vonë se 7 gushti, në përputhje me Kushtetutën dhe Aktgjykimin KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese. Partia thekson se as afati i dytë, 6 shtatori, i përcaktuar nga Vetëvendosje, nuk u respektua.
Pavarësisht kësaj, PDK thotë se mori pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, pas ftesës së LVV-së, me synimin për të përmbyllur procesin e konstituimit të Kuvendit.
Sipas saj, edhe në këto dy seanca procesi mbeti i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve rreth zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga opozita.
PDK pretendon se e respektoi marrëveshjen e saj duke votuar kandidatin e LVV-së për nënkryetar, ndërsa kjo e fundit nuk votoi kandidaten e PDK-së për të njëjtin post.
Partia thotë se LVV tashmë është shprehur e gatshme për votimin e nënkryetarëve, por e ka lidhur këtë çështje me mënyrën e votimit për Presidentin e Republikës.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik”, thuhet në deklaratë, ku PDK këmbëngul se konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votën e opozitës për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike.
Për këtë arsye, PDK njofton se do të tërhiqet nga seancat e njëpasnjëshme, pasi sipas saj nuk ekzistojnë garanci që procesi do të përmbyllet pa kushte të tjera politike.
Ndërkohë, ekspertët e partisë kanë nisur përgatitjen e rastit që do t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, me kërkesën për qartësi mbi procesin e konstituimit.
“Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit”, deklaron partia.
Në përfundim, PDK kërkon ndalimin e shkeljeve të afateve, vendosjes së kushteve të reja dhe pazareve politike, duke theksuar se tashmë vendimi i takon Gjykatës Kushtetuese.
KOHA JONË SONDAZH
A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?
Results
Vota totale: 4149

