Pejë, një person akuzohet për pjesëmarrje në grupin terrorist “Al Nusra”

 

Prokuroria Speciale e Kosovës, pran Gjykatës Themelore në Pejë, ka ngritur sot aktakuzë kundër të pandehurit S.M. për vepër penale, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste.”

Referuar akuzës së prokurorisë, i pandehuri S.M. gjatë periudhës kohore korrik 2013 deri janar 2014, me qëllim që t’i bashkëngjitet grupit terrorist “Al Nusra”, e cila operon në konfliktin e armatosur në Siri, ka udhëtuar në Turqi përmes aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në linjën Prishtinë – Stamboll, ku prej Stambollit ka vazhduar me autobus për në qytetin Hataj, dhe nga ky qytet ka shkuar me taksi drejt kufirit Sirian, duke kaluar në mënyrë ilegale kufirin, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Në akuzën e përpiluar nga prokuroria, thuhet se, “Aty vendoset në një qendër stërvitore, në rrethinën e qytetit të Alepos, ku i kryen ushtrimet fizike dhe ato me armë, të cilat kanë zgjatur rreth një muaj. Më pas është mobilizuar në grupin terrorist të lartcekur, ku si pasojë e konfliktit të armatosur i njëjti nga armët e zjarrit ka marr plagë në këmbën e majtë dhe pas shërimit të përkohshëm është kthyer në Kosovë”.

Përballë këtij pretendimi të organit të akuzës, i pandehuri ka kryer veprën penale: Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste.

Për veprën penale me të cilën i pandehuri ngarkohet sipas aktakuzës, prokurori i rastit, nga radhët e prokurorëve vendës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga gjykata që pas shqyrtimit gjyqësor të pandehurin ta shpallë fajtorë dhe ta dënojë sipas ligjit./lajmi.net/

SHKARKO APP