Për datën e zgjedhjeve, Vjosa Osmani mbledh sot krerët e partive politike
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të zhvillojë sot një takim me liderët e partive politike, i cili është planifikuar të nisë në orën 13:00.
Ky takim vjen pas vendimit të saj për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës, vendim që ajo e bëri publik gjatë një konference për media të mbajtur më herët gjatë ditës së sotme.
Gjatë deklaratës së saj, Osmani theksoi se qëllimi i këtij takimi është zhvillimi i konsultimeve zyrtare me përfaqësuesit e partive politike lidhur me përcaktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare. Ajo sqaroi se ligji parashikon që para shpalljes së datës së zgjedhjeve të zhvillohen konsultime me partitë politike, duke e cilësuar këtë si një detyrim institucional.
ipas presidentes, shpërndarja e Kuvendit sjell automatikisht nevojën për shpalljen e zgjedhjeve të reja, ndaj procesi i konsultimit me subjektet politike është një hap i domosdoshëm përpara vendimit përfundimtar. Ajo bëri të ditur se pas përfundimit të këtij takimi do të merret vendimi për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Ky zhvillim konsiderohet si faza e parë drejt organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, proces që pritet të përcaktojë edhe kalendarin e ri elektoral në vend. Liderët politikë do të kenë mundësinë të paraqesin qëndrimet dhe propozimet e tyre gjatë konsultimeve me presidenten, përpara se të merret vendimi përfundimtar për datën e votimit.
KOHA JONË SONDAZH

