Përfundon takimi me Vuçiç në Bruksel, Hoti: bëmë progres në disa tema!

Në Bruksel ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka thënë për televizionin publik se në kuadër të rinisjes së dialogut, kanë arritur progres dhe se javën e ardhshme pritet detajimi i çështjeve.

“Kemi bërë progres edhe tek tema e zhvillimit ekonomik detajet tjera do t’i mësoni ditëve në vazhdim. Jemi duke diskutuar, ka progres presim javën e ardhshme të detajizojmë këto çështje. Këto janë biseda të nivelit politik, sepse jemi në fazën finale të përmbylljes së marrëveshjes finale duhet vullnet të të dy palëve dhe dedikim mbështetës.

Mund të ketë biseda të natyrës teknike. Jemi plotësisht të angazhuar dhe besojmë tek partnerët tanë ndërkombëtarë për mbështetjen që na japin. Çështja me objektivë të qartë është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Aq sa mund të them e di që ka komunikim të ngushtë mes palës së SHBA-së dhe BE-së”, tha Hoti.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar më herët se, pas takimit, do të ketë një prononcim të të dërguarit të Posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës u mirëpritën në fillim në takime të ndara, nga kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ndërsa i dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të marrë pjesë në negociata.

Në fakt, dialogu virtualisht rifilloi më 12 korrik, ku palët biseduan përmes një video- konference, por takimi i së enjtes paraqet bisedimet e para të drejtpërdrejta pas 20 muajsh.

SHKARKO APP