Përkujtohet në një akademi solemne në Katedralen e Prishtinës, trashëgimia e Imzot Nikë Prelës dhe Imzot Mark Sopit
Në një akademi solemne të mbajtur në Katedralen e Prishtinës, u përkujtua vepra dhe trashëgimia e dy prej figurave më të shquara të Kishës Katolike dhe kombit shqiptar, Imzot Nikë Prelës në 30-vjetorin e kalimit në amshim dhe Imzot Mark Sopit në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta.
Në këtë ngjarje, ku morën pjesë krerët më të lartë shtetërorë e fetarë, përfshirë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergji, u theksua roli i tyre jo vetëm si udhëheqës shpirtërorë, por edhe si zëra të fuqishëm të arsyes dhe guximit qytetar në periudhat më të vështira për Kosovën.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalën e tij, i cilësoi Imzot Prelën dhe Imzot Sopin si “bartës të një etike të lartë publike” dhe “përfaqësues të një morali të rrallë qytetar”. Ai theksoi se në vitet kur sistemi shtypës i Serbisë synonte shkatërrimin e dinjitetit njerëzor dhe identitetit kombëtar, këta dy ‘barinj’ shpirtrash e kuptuan se misioni i tyre shkonte përtej shërbesës liturgjike.
“Në këtë ditë të shtunë, në një mot me shi, vetvetiu na bën reflektiv mu këtu në qendrën Bogdani Polis, pranë katedrales në Prishtinë, për të kujtuar dy personalitete të shquara të jetës fetare, kulturore dhe shoqërore e kombëtare të Kosovës. Sot po i përkujtojmë dy personalitete historike që i përkasin historisë shpirtërore, qytetare dhe politike të vendit tonë. Imzot Nikë Prelën në 30 vjetorin e kalimit të tij në amshim dhe Imzot Mark Sopin në 20 vjetorin e kalimit të tij në amshim. Këta dy burra nuk ishin thjesht udhëheqës fetarë. Ata ishin bartës të një etike të lartë publike, përfaqësues të një morali të rrallë qytetar dhe dëshmitarë të një kohe kur e drejta, liria dhe dinjiteti njerëzor nuk ishin fare të garantuara, por përkundrazi duhej të mbroheshin çdo ditë, shpesh në rrethana të jashtëzakonshme rreziku,” deklaroi Kurti.
Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, foli për përgjegjësitë e mëdha që këta dy prelatë bartën mbi supe. Ai i quajti ata “bashkëvuajtës të përkryer në gjirin e popullit të vet” dhe dëshmitarë të besueshëm të së vërtetës historike.
“Në vazhdën e kremtimit, më kanë kërkuar të them edhe disa fjalë në hyrje të akademisë. Prandaj ju lus që të keni mirëkuptimin, pasi që edhe fjala ime është si vazhdim i asaj çfarë ju kemi thënë në katedrale atyre që ishin. Ne pra, në frymën e lutjes dhe besimit, kujtojmë barinj tanë, ata të cilët kanë kaluar në amshim, Imzot Mark Sopin dhe Nik Prelën. Ata si barinj, janë udhëheqës shpirtërorë e barinj të grigjës së Hyut, në kishën tonë. Dhe çdo bari i ka tre përgjegjësi bazike. E ka përgjegjësinë apostolike, të ruajë zemrat e besimtarëve në dashuri dhe në besim, të ruajë paprekshmërinë e besimit, qëndrueshmërinë e besëlidhjes së pagëzimit dhe të kryejë veprën mesianike të Krishtit në botë në thjeshtësinë e kuptimit të saj,” theksoi Dodë Gjergji.
Imzot Rrok Gjonlleshaj, në fjalën e tij, ka dashur të vë në pah rolin dhe guximin e ipeshkvijve shqiptarë në periudha shumë të rënda historike
“Do të mundohem të jem sa më i shkurtë, por vetëm me dy gjëra nga jeta e tyre. Që të dy janë emëruar dhe kanë ardhur si barinj të kësaj kishe në kohëra shumë të vështira. Monsinjor Prela nga 68-ta e deri në 96-ën, që çdonjëri prej nesh i njohim ato periudha si kanë qenë e si janë zhvilluar. Dhe kisha dashur të vetëm një thënie të Monsinjor Prelës publike që e ka thënë, ta citoj edhe kur ishim në 90-ën në Bishtazhin në festën e Zezë Rozare, ky publikisht pushtetit serb ia bën me dije dhe e thotë publikisht: “Ja sam shqiptarski biskup”. Unë jam ipeshkvi i shqiptarëve, që aty për aty ia u bën me dije se ky popull nuk është i pa bari,”theksoi: Gjonlleshaj.
Trashëgimia e Imzot Nikë Prelës dhe Imzot Mark Sopit, siç u tha nga folësit, mbetet një udhërrëfyes i përhershëm për një shtet ku liria shoqërohet me përgjegjësi dhe ku e vërteta është busull orientuese.
/Kosovapress/
KOHA JONË SONDAZH

