Reagon Kryeministri Rama për përleshjen fizike në Kuvendin e Kosovës
Parlamenti i Kosovës i përfshi sot (e enjte) nga përleshjet fizike ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike dhe përfaqësuesve të pushtetit.
Përleshjet shpërthyen derisa kryeministri Albin Kurti po fliste për situatën në veri të Kosovës dhe pajtimin që është arritur me Bashkimin Evropian për hapat e parë drejt uljes së tensioneve. Fjalimi i tij u pengua nga deputetët e opozitës duke brohoritur dhe duke e cilësuar si “gënjeshtar”.
U desh ndërhyrja e sigurimit të kryeministrit për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa kryetari i Parlamentit kërkoi edhe ndërhyrjen e policisë.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ngjarjeve të pazakonta që ndodhën sot në Kuvendin e Kosovës, ku deputetë të opozitës janë përleshur fizikisht me ata të maxhorancës.
“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit! Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, shkruan Rama.