Përse diagnoza e Faik Konicës për karakterin e shqiptarëve dhe korrupsionin në administratën shtetërore ende është aktuale?

INTERVISTË – 40 pyetje – 40 përgjigje: Agron Demi, publicist
 
 
Në kapërcyell të shekujve XIX/XX në sallonet e Parisit ishte modë që gjatë pritjeve mysafirët të plotësonin një «Questionnaire», një pyetësor. Një të tillë e kishte plotësuar edhe 13-vjeçari Marcel Proust në një festë për nder të ditëlindjes së Antoinette Faure, të bijës së presidentit të mëvonshëm francez Félix Faure.
 
Në moshën 20-vjeçare Proust ishte përgjigjur edhe njëherë në këtë pyetësor, të cilit ia kishte dhënë titullin: «Marcel Proust par lui-même» («Marcel Proust mbi vetveten»). Që nga atëherë «Questionnaire» u bë i famshëm bashkë me shkrimtarin Marcel Proust (1871-1922).

Traditën e pyetësorit e vazhduan gazetat e revistat deri në ditën e sotme, mes tyre edhe e përditshmja gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» dhe «Vanitiy Fair». Duke e marrë si model dhe inspirim pyetësorin e Proustit dialogplus.ch fillon me botimin e intervistave me 40 pyetje, në të cilat do të përgjigjen personalitete të ndryshme.

Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë?

Tiranë.

Cilin personalitet të historisë shqiptare do të dëshironit ta takonit sikur të ishte e mundshme?

Faik Konica.

Çka do ta pyetnit së pari?

A e ka menduar se diagnoza e tij për karakterin e shqiptarëve dhe korrupsionin në administratën shtetërore do të vazhdojë edhe gati një shekull pas shkrimeve të tij?

Cili është personaliteti më i rëndësishëm historik për ju?

Woodrow Wilson, për qëndrimin e tij në mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore dhe për doktrinën e tij të intervenimit të SHBA për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe vlerat liberale, politikë nga e cila përfitoi edhe Kosova shumë dekada më vonë.

A ekziston Zoti?

Jo ai që portretizohet nga religjionet monoteiste.

Cilin libër po e lexoni aktualisht?

Posa kam filluar së lexuari romanin «Do not say we have nothing» të shkrimtares me origjinë kineze Madeleine Thien, e cila trajton ngjarjet e revolucionit kulturor në Kinën e Mao Ce Dungut.

Cilin qytet të ish-Jugosllavisë keni dëshirë ta vizitoni?

Dubrovnikun.

Kur keni udhëtuar për herë të parë jashtë shtetit dhe në cilin vend keni qenë?

Në vitin 1989, si shtatë vjeçar në Kroaci, nëse mund të konsiderohet si «jashtë shtetit» vizita në atë kohë kur Kosova e Kroacia ishin pjesë të së njëjtës federatë.

Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?

Relativisht vonë, më 2004.

Çfarë do të ishte për ju fatkeqësia më e madhe?

Rikthimi i gjendjes së para 1999.

Cilin shkrimtar të huaj e pëlqeni më së shumti?

Haruki Murakami, romanet e të cilit i kam lexuar të gjitha. Ndërsa nga ata që shkruajnë jo-fiksion (nonfiction) me padurim i pres librat e rinj të Michael Lewis, Yuval Noah Harari, Nassim Nicholas Taleb, Malcolm Gladwell.

Kultura e cilit vend perëndimor ju pëlqen më së shumti?

Ajo angleze.

Cili emër ju pëlqen më së shumti?

Luna.

A do të merrnit pjesë në dasmën e një çifti homoseksual?

Me po aq dëshirë sa do të merrja pjesë në dasmën e një çifti heteroseksual.

A do të ishit i gatshëm të luftoni në rast se rrezikohet liria e vendit?

Jam më i prirë të luftoj për të mos u rrezikuar liria e vendit.

Cilin person s’do të kishit dëshiruar ta takoni kurrë?

Besoj që nuk do doja ta takoja asnjëherë Sllobodan Millosheviqin.

A duhet të bashkohen Kosova dhe Shqipëria?

Hap pas hapi.

A është dëmtuar dialekti gegë me standardin gjuhësor të vitit 1972 dhe a duhet të ndryshohet ky standard?

Standardizimi i gjuhës shqipe ka qenë hap i duhur. Por ata që vendosën për standardin gjuhësor nuk ishin vetë të çliruar nga rajonalizmat dhe inatet krahinore, andaj u dëmtua gjuha shqipe duke përjashtuar dialektin gegë. Nuk besoj se rishikimi i standardit të gjuhës shqipe do të mund të korrigjonte gabimin gati gjysmë shekullor.

Cilit komb dhe cilës kulturë do t’i kishit takuar me qejf?

Më pëlqen kultura japoneze sa i përket etikës, mirësjelljes e pastërtisë.

Sikur të kishit pushtetin politik çfarë do të ndryshonit së pari?

Zvogëlim të administratës shtetërore, transparencë radikale në shpenzimin e parasë publike, kthimin e hapësirave publike në hapësira të përdorshme nga qytetarët e jo si janë tani në hapësira të cilat funksionojnë sipas parimit «terra nullius» – kush të mund të uzurpojë më së pari.

Cili është personi më i rëndësishëm për ju?

Vajza ime Luna.

Cilat media preferoni t’i lexoni?

Nuk jam ithtar i lajmeve të shpejta, andaj nuk e kam aspak problem të marr informacionin nga mediat e shtypura që dalin një ditë pas, apo ato javore. Më mirë një lajm i vonshëm, por i saktë; se sa një lajm i shpejtë, por i pavërtetë. Për këtë preferoj të lexoj «The Economist», revistë e cila na mbërrin në zyre falë organizatës ku punoj. Kurse nga mediat e shtypura vendore lexoj «Kohën Ditore», nga ato elektronike e ndjek «Prishtina Insight».

Cila ngjyrë ju pëlqen më së shumti?

E zeza.

Cila lule ju pëlqen më së shumti?

Nuk e kam menduar asnjëherë.

Cilin virtyt tuajin e çmoni më së shumti?

Desha të them modestinë, por do e humbja modestinë në momentin që e pranoj se virtyti im më i çmueshëm është modestia.

Cilat virtyte i çmoni te një grua?

Guximi për të kërkuar atë çfarë beson dhe që i takon. Angazhimi për t’i dhënë zë e kurajë grave të cilat kanë nevojë për mbështetje.

Cilat virtyte i çmoni te një burrë?

I çmoj ata të cilët fuqinë dhe pushtetin nuk e përdorin për të shtypur e kufizuar lirinë e të tjerëve.

Cilin politikan të kohës së Jugosllavisë e vlerësoni më shumë?

Duke marr parasysh se Kosova është përfshi me dhunë në federatën jugosllave, rrjedhimisht nuk kam ndonjë vlerësim pozitiv për Jugosllavinë dhe politikanët e saj.

Cilin politikan të Kosovës pas vitit 1989 e vlerësoni më shumë?

Degradimi gjithnjë më i madh i skenës politike kosovare, po e ngrit gjithnjë e më shumë rolin e Ibrahim Rugovës. Së paku ai ka refuzuar që të bëjë politikë të ulët intrigash dhe nuk e ka ndotur debatin publik me fjalor që i ngjan më shumë zërave që dalin nga ferma e kafshëve.

Cilin politikan të Republikës së Shqipërisë në këto 25 vitet e fundit e vlerësoni më shumë?

Pandeli Majkon, për rolin e tij dhe qeverisë që ai drejtonte në kohën e luftës së Kosovës. Fatkeqësisht karriera politike e Majkos pas vitit 1999 ka shkuar duke rënë, për t’u reduktuar në një post anësor në qeverinë aktuale.

A ka Enver Hoxha ndonjë meritë për Kosovën?

Asnjë meritë reale. Duke mos pasur kontakt me Shqipërinë dhe në mungesë të informacionit, në imagjinatën e patriotëve të Kosovës ishte projektuar një Enver Hoxhë fiktiv, i cili nuk kishte asgjë të përbashkët me atë real. Në mënyrë paradoksale, ky iluzion për Enver Hoxhën i ka dhënë shtytje rezistencës së patriotëve kosovarë. Andaj merita e vetme e tij ishte mos të treguarit e fytyrës së tij të vërtetë karshi Kosovës. Vetëm pas rënies së komunizmit dhe largimit të «enverëve» në gjithë Europën Lindore, sakrificat e kosovarëve për liri kanë filluar të marrin mbështetje.

A ka Josip Broz Tito ndonjë meritë për zhvillimin politik, arsimor, ekonomik dhe kulturor të Kosovës?

Jo, përkundrazi. Ekziston një zhanër i letërsisë që njihet si historia alternative, apo «çka nëse…? », ku me dhjetëra libra janë shkruar për atë se çka nëse do ndodhte diçka ndryshe në një moment të caktuar të historisë? E shumëkush i jep merita Titos pikërisht duke argumentuar me atë se «çka nëse në vend të Titos do të ishte dikush tjetër, gjendja do të kishte qenë edhe më e keqe». Por, «çka nëse» Kosova nuk do të ishte fare pjesë e Jugosllavisë dhe të respektohej Marrëveshja e Bujanit?

Cili është për ju personaliteti më i urryer historik?

Jozef Stalini. Historia njeh udhëheqës mizor të cilët kanë kryer krime të mëdha për të realizuar një qëllim. Kurse Stalini ishte psikopat i cili mori jetën e miliona njerëzve, veç për qejf.

Sikur të kishit jetuar në Luftën e Dytë Botërore a do t’iu kishit bashkuar lëvizjes partizane në luftë kundër pushtimit nazist?

Duke mos ditur se në çfarë do të shndërroheshin më vonë lëvizjet partizane në Shqipëri e Jugosllavi, me siguri do t’ju bashkohesha. Por i vetëdijshëm për trashëgiminë e tyre, me siguri do t’i bashkohesha ndonjë formacioni tjetër anti-nazist.

Cili është intelektuali më i madh i Kosovës?

Ukshin Hoti, për angazhimin e shumanshëm për çështjen e Kosovës.

Cili është shkrimtari më i madh shqiptar?

Për mua mbetet Faik Konica, edhe pse ka shkruar shumë pak letërsi, por e vlerësoj për shkrimet e tij politike të asaj kohe, të cilat fatkeqësisht janë relevante edhe tash, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.

Cili është aktori/aktorja më e madhe shqiptare?

Bekim Fehmiu. Përveç si aktor, bazuar në dy librat e tij autobiografik, Bekim Fehmiu do të mund të ishte edhe një ndër shkrimtarët më të mirë të gjeneratës së tij.

A keni marrë pjesë në ndonjë demonstratë?

Protestën time të parë e mbaj mend shumë mirë. Ishte më 1 tetor 1997, në Kamenicë, për të kërkuar lirimin e objekteve të uzurpuara shkollore. Kurse pas çlirimit, çdo herë që kam pasur mundësi jam bashkuar protestave kundër korrupsionit, kapjes së shtetit, gjendjes së keqe ekonomike. Fatkeqësisht për një pjesë të madhe të popullsisë protestat kanë përfunduar më 1999.

A është toleranca fetare mes shqiptarëve mit apo realitet?

Kam përshtypjen se toleranca fetare në Shqipëri është shumë më e madhe, se sa toleranca fetare në Kosovë apo viset tjera të banuara me shqiptarë.

Cila është ëndrra juaj më e madhe?

Me mbërri kohën kur ofertat turistike kanë me përfshi edhe vizitat jashtë planetit tokë, me një kosto buxhetore sa me shku në Dhërmi.

Dialogplus.ch

SHKARKO APP