Përurohet shtatorja e Ismail Qemalit

 

Në Prishtinë u përurua sot shtatorja e Ismail Qemalit, e cila u zbulua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Në ceremoninë e vendosjes së shtatores së Ismail Qemalit, pranë godinës së re të qeverisë së Kosovës, të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deputeti i PS-së, Pandeli Majko, Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe personalitete të ndryshme nga fusha politike dhe kulturore e vendit.

Gjatë kësaj ceremonie, performoi kori i filarmonisë së Kosovës dhe ansambli “Çipini” i Vlorës, i cili këndoi këngë patriotike labe.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, kryeministri Edi Rama tha se është shumë i nderuar në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Ismail Qemali.

”Sa herë që ngrihet përmendoreje Ismail Qemalit, është shpallje dhe rishpallje e pavarësisë së Shqipërisë”, tha ai duke falënderuar prindër kosovarë që në nderim të Ismail Qemalit vajzave të veta kosovare ua vunë emrin Vlorë.

Ai në vazhdim foli për figurën e Plakut të Pavarësisë dhe për historinë e flamurit që u shpalos në Vlorë në vitin 1912 duke përkujtuar me këtë rast edhe kontributin e Isa Boletinit.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Ahmeti, tha se “sot përfunduam kapitullin e parë të kësaj marrëveshje, ndersa deri në fund të vitit do ta dërgojmë shtatoren e Hasan Prishtinës në Vlorë”.

Në nëntor të vitit 2014, në një takim të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me delegacionin e intelektualeve nga qyteti i Vlorës, u percaktuan hollësitë e idesë dhe projektit të vendosjes së shtatoreve të Ismail Qemalit në Prishtinë dhe atë të Hasan Prishtinës në Vlorë. Vendosja e shtatores simbolizon rolin e Ismail Qemalit në pavarësinë e shqiptarëve, si dhe në zhvillimin e kombit shqiptar. Shtatorja e Ismail Qemalit është vepër e skulptorit Luan Mulliqi.

SHKARKO APP