Plani i qeverisë ”Rama 3”: Lobojmë për njohjen e Kosovës, pranimi në OKB dhe fuqizimi në arenën ndërkombëtare

Në planin e PS-së për mandatin e tretë qeverisës, përfshihet edhe Kosova. Kryeministri Edi Rama zotohet për lobim për njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet, si dhe pranimin si një vend me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Në tryezën e përvitshme të qeverive Kosovë-Shqipëri, pritet të përfshihen edhe pakicat shqiptare në të gjithë rajonin. Këto hapa të ndërmarra mund të tregojnë edhe një tentativë të Ramës për të stabilizuar marrëdhëniet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pjesë nga plani

Forcimi i perceptimit pozitiv, i parashikueshmërisë dhe i besueshmërisë së politikës së jashtme të Shqipërisë. Forcimi dhe intensifikimi i marrëdhënieve me vende dhe organizata partnere, nëpërmjet punës së përbashkët dhe të bashkërenduar për tema të posaçme.

Vendosja e kontakteve me vende dhe organizata që nuk kanë qenë në vëmendjen e politikës sonë të jashtme, shfrytëzimi më tej i këtyre kontakteve në shërbim të arritjes së objektivave afatgjata të politikës së jashtme të vendit tonë. Forcimi dhe faktorizimi sa më shumë të jetë e mundur i pozicionit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare;

Kosova është tashmë një realitet i pakthyeshëm gjeopolitik dhe njohja e saj e shpejtë do të shërbejë për t’u ndarë nga koha e dhunës etnike që ka përndjekur Ballkanin për një shekull, duke hapur një epokë të re të bashkëpunimit në rajon. Avancimi i të dre- jtave të shqiptarëve në të gjitha rajonin, si dhe rritja e bashkëpunimit rajonal në për- puthje me angazhimet e Open Ballkan apo Procesit të Berlinit, përbën një prioritet konstant të politikës sonë të jashtme.

Angazhohemi në përforcimin e bashkëpunimit rajonal përmes Open Ballkan dhe paketës së ndërlidhjes dhe investimeve të Procesit të Berlinit. Lobojmë më fuqimisht për njohjen e shpejtë të Kosovës nga të gjithë vendet e botës dhe për pranimin e saj si një vend me të drejta të plota në OKB. Takimi i përvitshëm i qeverive Shqipëri-Kosovë zgjerohet për të përfshirë në tryezë edhe pakicat shqiptare në të gjithë rajonin.

SHKARKO APP