Plani slloven: Kosova të bashkohet me Shqipërinë
Mediat sllovene kanë publikuar dokumentin “sekret” të kryeministrit Janez Jansha për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Dokumenti shoqërohet me hartën politike të rajonit dhe propozon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë si dhe shpërbërjen e Bosnje dhe Herzegovinës, ku një pjesë e territorit i kalon Serbisë.
Në pjesën kryesore të dokumentit theksohet se Serbia, Kroacia dhe Shqipëria, aktualisht kanë qeveri të qëndrueshme dhe se politikanët e tyre të zgjedhur, janë të aftë të marrin vendime strategjike. Në propozimin slloven thuhet se në Kosovë, 95 % e popullsisë dëshiron të bashkohet me Shqipërinë.
Çështja kombëtare serbe mund të zgjidhet duke aneksuar një pjesë të Republika Srpska, dhe në këtë rast, Serbia është e gatshme të dakordësohet për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas mediave, ky dokument i kryeministri slloven titullohet “Rruga e së ardhmes në Ballkanin Perëndimor ” dhe i është dorëzuar në kabinetin e presidentit të Këshillit Europian Çarls Michel, në muajin shkurt.
Askush nuk e ka konfirmuar zyrtarisht se zyrtari lartë i Brukselit ka marrë një dokument të tillë.