Platforma serbe, Kosovës i jep “autonomi të gjerë”, por jo pavarësi

 

Disa medie në Beograd raportojnë se Platforma e re e presidentit Nikoliç për Kosovën i është dërguar kryeministrit Aleksandar Vuçiç, por ky nuk e ka konfirmuar marrjen e saj.

Sipas këtyre burimeve, të cilat i transmeton Koha.net, propozimi i të ashtuquajturës Platforma për ‘Kosovën e Metohinë’ e presidentit serb Nikoliç është “zemërgjerë” dhe parasheh “dhënien e një autonomie të gjerë me shumë autorizime, por jo edhe pavarësinë për Krahinën Jugore Serbe si dhe autonomi gjyqësore”.

Mediet “zbulojnë” si mjaft interesant pjesën e Platformës, që i referohet veriut të Kosovës, i cili “duhet të trajtohet në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, ndërsa territori jashtë veriut, përkatësisht jashtë pjesës ku duhet të formohet Bashkësia e Komunave Serbe, do të kishte trajtimin që kanë pasur shqiptarët gjatë ekzistimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë”.

Këto medie lexuesve të vet “ua bëjnë me dije” se shqiptarët dashkan pavarësi!

Ato citojnë ish-ministrin për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, i cili rikujton se kjo Platformë ‘do të jetë dokumenti i 13-të deklarativ që nxirret, ndërsa pas secilit për serbët ka qenë më keq dhe ata gjithnjë më pak’.

“Kjo posaçërisht ka të bëjë me situatën rreth negociatave në Vjenë, ku kemi ofruar më shumë se autonomi dhe më pak pavarësi, ndërsa ata e kanë refuzuar. Kthimi në atë periudhë dhe në Kushtetutën e vitit 1974 është qesharake dhe humbje kohe”, citohet të ketë thënë Bogdanoviç.

SHKARKO APP