Policia arreston agresorin me thikë
Policia e Ferizajt ka arrestuar një person nën dyshimin se ka plagosur rëndë me thikë personin tjetër, i cili pas plagëve të marra po kurohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Burime policore kanë bërë të ditur se mbrëmë rreth orës 22:00, policia është njoftuar për një rast vrasjeje së mbetur në tentativë, i ndodhur në rrugën “Gursel e Bajram Sylejmani” në Ferizaj.
“Sipas dëshmive të grumbulluara në vendin e ngjarjes nga ana e njësive përkatëse policore, rasti ka pasuar një debat dy ditë më parë, ndërmjet viktimës, I.D. 23 vjeç dhe të dyshuarit, I.S. 19 vjeç. Pas përballjes në rrugën e lartshënuar, i dyshuari e ka goditur viktimën me thikë në pjesën e kraharorit dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes”, ka thënë zv/drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë, majori Basri Shabani.
Bëhet e ditur se pas grumbullimit të informacioneve, policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin dhe ka konfiskuar thikën me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.
“I plagosuri, ndodhet në QKUK në Prishtinë dhe gjendja e tij shëndetësore është e rëndë”, ka thënë Shabani.