Policia holandeze largon protestuesit shqiptarë para Gjykatës Speciale në Hagë

Forcat e sigurisë holandeze kanë marrë nën kontroll situatën para ndërtesës së paraburgimit në Hagë, ku po mbahen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas rigrupimit të protestuesve pranë objektit, autoritetet ndërhynë duke i larguar ata që ishin vendosur para ndërtesës. Më pas, policia bllokoi rrugët që çojnë drejt paraburgimit, derisa protestuesit e fundit u larguan në mënyrë paqësore.

Në Hagë u mbajt sot një protestë madhështore e organizuar nga mërgata shqiptare dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët tash e pesë vjet po mbahen në paraburgim në Gjykatën Speciale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Tubimi filloi në parkun pranë muzeut Madurodam, jo larg godinës së Gjykatës Speciale, me intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe atij shtetëror të Kosovës. Hapësira u mbush me flamuj kuq e zi dhe simbolika të UÇK-së, duke treguar unitetin dhe vendosmërinë e mijëra protestuesve nga Kosova dhe diaspora.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndër të parët që mori fjalën ishte ish-pjesëtari i UÇK-së dhe bashkorganizatori i protestës, Fatmir Koci. Ai theksoi se shqiptarët nuk ishin agresorët, por popull që luftoi për liri.

“Sot jemi mbledhur për të ngritur zërin tonë, për të thënë mjaft më me padrejtësi. Po ju pyes para të gjithë Evropës, para gjithë botës, a ishim ne agresori? A e sulmuam ne në tokën e vet? Apo luftuam në shtëpitë tona? A kërkuam territore? Apo kërkuam liri?”, deklaroi Koci, duke theksuar se gjykimi në Hagë është i padrejtë dhe i pafalshëm.

Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, nisi fjalimin e tij me thirrjet “UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi”. Ai tha se protesta po mbahej për dinjitetin e popullit dhe për historinë e shenjtë të UÇK-së.

“UÇK nuk lindi nga urrejtja por nga padrejtësia. Liria nuk ishte dhuratë, por sakrifica e djemve dhe vajzave që ranë për flamur e tokë. Evropa nuk duhet të lejojë që drejtësia të shndërrohet në instrument politik”, u shpreh Gucati.

Pas përfundimit të protestës në park, një pjesë e protestuesve u rigrupuan para ndërtesës së paraburgimit, ku po mbahen ish-presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Protestuesit brohoritën emrat e tyre duke kërkuar lirimin e menjëhershëm.

Prania e policisë holandeze u shtua ndjeshëm, ndërsa forcat e sigurisë ndërhynë për të larguar protestuesit nga hapësira para objektit. Më pas, rrugët që çojnë drejt ndërtesës së paraburgimit u bllokuan, derisa protestuesit e fundit u shpërndanë në mënyrë paqësore.

Ish-krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 dhe po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Protesta e sotme shënoi një tjetër manifestim të fuqishëm të mërgatës dhe qytetarëve shqiptarë në mbrojtje të figurës së UÇK-së dhe kërkesës për drejtësi.

Protestuesit rigrupohen para Gjykatës Speciale, shtohet prania e forcave të sigurisë

Protesta e planifikuar fillimisht pranë muzeut Madurodam, afër Gjykatës Speciale në Hagë, ka përfunduar, por protestuesit janë rigrupuar sërish para ndërtesës ku po mbahen në paraburgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Autoritetet holandeze kanë shtuar praninë e forcave të sigurisë, të cilat po monitorojnë nga afër situatën.

Protestuesit kanë brohoritur emrat e ish-drejtuesve të UÇK-së, duke kërkuar lirimin e tyre dhe drejtësi për sakrificën e bërë për lirinë e Kosovës./Telegrafi/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?