Policia paralajmëron masa ndaj vozitjeve të rrezikshme në Kosovë
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka angazhuar kapacitetet e saj për mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar për sonte në orën 21:00 në sheshin qendror të Prishtinës, si dhe për menaxhimin e trafikut rrugor.
Sipas Policisë, pas protestave të qeta në kryeqytet, disa pjesëmarrës kanë vazhduar të qarkullojnë me automjete nëpër rrugët e Prishtinës, duke kryer veprime të pakontrolluara dhe të rrezikshme gjatë vozitjes.
Policia ka bërë të ditur se disa persona kanë dalë dhe kanë qëndruar në dritaret apo mbi veturat në lëvizje, duke rrezikuar veten dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, përfshirë këmbësorët.
“Veprimet policore në terren kanë të bëjnë ekskluzivisht me parandalimin e ngasjes së rrezikshme dhe të pakontrolluar të disa automjeteve pas protestave”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka hedhur poshtë pretendimet e shpërndara në rrjetet sociale se qytetarët po ndalohen apo ndëshkohen për shkak të flamujve të UÇK-së.
“Policia e Republikës së Kosovës nuk ka ndaluar, ndëshkuar e as ushtruar dhunë ndaj asnjë qytetari për shkak të simboleve historike kombëtare apo simboleve të UÇK-së, por për shkak të shkeljeve ligjore”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, angazhimet e saj kanë për qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve, mbarëvajtjen e protestës në mënyrë të qetë dhe të sigurt, menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e vozitjeve të rrezikshme.
A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?
Results
Vota totale: 4053

