Politologu: Grenell nuk do të merret më me dialogun Kosovë-Serbi, pretendimi i tij i ri, ngritja në karrierë
“I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell ka marrë besimin e presidentit amerikan për të udhëhequr në Inteligjencën Kombëtare. E pas kësaj, ai siç duket nuk do të merret më me çështjen e Kosovës e veçanërisht me dialogun Kosovë-Serbi.”. Kështu deklaron për Telegraf, njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri.
Ky i fundit tha se emërimi i Grenellit si ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare në SHBA, është avancim në karrierën e tij.
“Ambasadori Grenell është mirë që është caktuar në krye të shtatë shërbimeve të SHBA-ve, dhe ka besimin e plotë të presidentit Donald Trump. Ai ishte në rolin e ambasadorit dhe tash largohet prej ambasadorit dhe shkon në atë funksion në SHBA, dhe jep kontributin, dhe është përparim në karrierën e tij. Në vend të tij do të emërohet një tjetër, ose do të vazhdojë Palmer vetëm prej Departamentit të Shtetit dhe do ta ketë edhe rolin prej presidentit. SHBA-të i kanë dy përfaqësues për dialog një nga Departamenti i Shtetit dhe një nga ana e Presidentit të cilat munden me u unifikua me një figurë, e kush do të jetë dimë kjo varet nga presidenti amerikan, por cilido që të jetë do të jetë mirë për Kosovën”, u shpreh Tahiri.