Portreti i Joe Biden, zotëria i normalitetit

Joe Biden! Kështu quhet presidenti i ri i Amerikës. Për botën një lajm i mirë. Për Kosovën – një lajm fantastik. Jo për shkak se duhet pasur pritje të mëdha, por për shkak se, pas dramës katërvjeçare me amatorë të rrezikshëm që merreshin me rajonin, tani në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit do të ketë njerëz me ekspertizë dhe jo tyxharë elektoralë.

Nga Enver Robelli

Në fund edhe ata që s’besonin mund të thonë: e kemi ditur se Joe Biden do të fitojë. Sepse në fund të gjithë janë më të mençur se në fillim. Ose bëhen ashtu. Sidoqoftë, sot, më 8 nëntor, shumica e gazetave amerikane në ballinë kanë një fotografi dhe një titull. Në fotografi shihet një burrë paksa i moshuar, ndërsa titujt janë të njëjtë në pothuaj secilën gazetë: Joe Biden mposht Donald Trumpin. Joseph Robinette Biden, Jr. Ky është emri i plotë i presidentit të 46-të amerikan.

Në fillim të shkurtit, kur filloi gara në Partinë Demokratike amerikane mes kandidatëve për president, Biden s’ishte askund. E majta gjithnjë e më agresive brenda partisë e shpotiste si burrë të bardhë, një plak i establishmentit, jo sa duhet i majtë sipas qejfit të pleqve të vrullshëm si Bernie Sanders dhe vajzave me mungesë durimi si Alexandria Ocasio-Cortez. Pra, në fillim të shkurtit Biden humbi në Iowa, në New Hampshire, në Nevada. Për tri javë, tri humbje. Kandidatë të tjerë entuziazmonin votuesit demokratë, për shembull Pete Buttigieg (lexo: Butiçiq).

Edhe Barack Obama nuk ishte aq i bindur se zëvendësi i tij i dikurshëm, Joe Biden, mund t’ia dalë kundër Trumpit. Në media tashmë po qarkullonte një citat që i referohej Obamës. Sipas tij, kurrë s’duhet nënçmuar aftësinë e Bidenit për t’ia huq. Domethënë: Biden mund të afrohet te goli dhe të mos shënojë. Ose te koshi i basketbollit. “New York Times” ka përkujtuar këtë episod: ndërsa njëherë dëgjonte një fjalim të stërzgjatur në senat të Joe Bidenit, Obama i shkroi një këshilltari në një copëz letre: “Shoot. Me. Now”.

Më 29 shkurt Biden fitoi në South Carolina. Më 3 mars, në “Super Tuesday”, Biden fitoi në 9 prej 14 garave në shtetet amerikane. Kështu e siguroi nominimin për kandidat të demokratëve për president. Brenie Sanders ishte kandidat i mirë për të majtën urbane, por vetëm me të majtën urbane nuk fitohen zgjedhjet në SHBA. Pete Buttigieg ishte kandidat po ashtu i mirë, politikan që mbante fjalime të fuqishme, ish-ushtarak në Afganistan, prefekt i qytetit South Bend në Indiana. Por shumë demokratë nuk ishin të sigurt nëse në zonat rurale, konservatore njerëzit do të votonin për një politikan homoseksual si Buttigieg, i cili hapur i shprehte dashurinë partnerit të tij. Senatorja Elizabeth Warren, juriste brilante, senatore, nuk arrinte të fitonte zemrat e masave për shkak të tonit të ndërlikuar të ligjërimeve të saj profesorale. Për shumë amerikanë ajo ishte gjithashtu tepër e majtë.

Pothuaj të gjithë këta aspirantë për president të SHBA-ve flisnin për drejtësi sociale, për sigurime shëndetësore, për përmirësime infrastrukturore. Joe Biden fliste kryesisht kundër Donald Trumpit. Ai është problemi, atë duhet ta heqim qafe, kur ta heqim atë qafe, mund t’iu kthehemi probleme të mëdha të Amerikës. Ky ishte mesazhi i Bidenit. Dhe ky mesazh funksionoi. Në këto zgjedhje, thoshte Biden, bëhet fjalë për “shpirtin e Amerikës”, një shpirt që e kishte helmuar Donald Trumpi me tiradat e tij të përditshme në Twitter dhe kudo ku i jepej mundësia. Ndërsa Sanders dhe Alexandria Ocasio-Cortez ëndërronin një revolucion socialist, Biden e shihte Amerikën pak më gjerë. Në videon e parë elektorale të Bidenit shiheshin ushtarë dhe flamuj. Strategjia e Trumpit ishte që edhe Bidenin ta prezantonte si socialist, që dëshiron ta shndërrojë Amerikën në njëfarë miksi komunist kubano-rumun të viteve 80-të. Biden iu shmang këtij kurthi, duke përdorur retorikë patriotike dhe biblike. Andaj për t’i ikur etiketimit Biden nuk doli në asnjë fotografi me Alexandria Ocasio-Cortez.

Ndërsa Trump thoshte se koronavirusi mbytet duke pirë deterxhent, Joe Biden nuk duhej të lodhej shumë, mjaftonte t’i thoshte publiku: “Shiheni këtë budallain!” Dhe publiku shihte: se si Trump minimizonte rrezikun nga virusi, se si bëhej sikur virusi vjen e shkon sa çel e mbyllë sytë, se si nuk gjente fjalë ngushëllimi për të vdekurit (gati 240 mijë të vdekur, gati 10 milionë të infektuar). Për dallim nga Trump, Biden bashkëndjen me njerëz, e kupton dhimbjen e tyre, sepse edhe vetë ka kaluar nëpër shumë dhimbje. Gruan e parë dhe vajzën i ka humbur në vitet 70-të në një aksident, një djalë i ka vdekur nga kanceri (Beau Biden ka shërbyer edhe në Kosovë pas luftës), një djalë tjetër i tij ka qenë i varur nga droga. Shumë njerëz në Amerikë tregojnë se si pas tragjedive personale Biden i thërriste në telefon dhe i dëgjonte gjatë ndërsa ata tregonin për dhimbjet, humbjet, dëshpërimet, por edhe shpresat. Trump është tip tjetër. Ai nuk di të tregojë empati për tjetrin. Kur tjetri i ka punët keq, Trump nuk e fsheh cinizmin. “Loser”, me këtë fjalë Trump i etiketon të gjithë jashtë kozmosit të tij. “Loser” mund të përkthehet me “humbës”, por domethënë edhe “njeri i mjerë”.

Megjithatë, nuk është e sigurt nëse Biden do t’i fitonte zgjedhjet vetëm me aftësinë e tij për t’ua zgjatur dorën të dëshpëruarve dhe pikëlluarve. Përtej talentit të tij të mërzitshëm për polarizim, Trump zbatoi atë politikë për të cilën ishte zgjedhur. Sa më pak kufizime për ekonominë, ulje tatimesh (ndonëse nga kjo masë përfituan ata që përfitojnë përherë: të pasurit), politikë më agresive ndaj Kinës (në këtë drejtim demokratët kanë qenë tepër naivë që nga koha e Bill Clintonit). Në politikën e jashtme Trump ishte agresiv ndaj europianëve, të cilëve u tha qartë: paguani për NATO-n ose një ditë Amerika do të tërhiqet nga aleanca. Kjo gjuhë ishte e vrazhdë, agresive, por në thelb Trump kërkoi atë që ka kërkuar Barack Obama: europianët duhet të hapin kuletën dhe jo vetëm të presin që sigurinë ua garanton Amerika, ndërsa europianët (sidomos gjermanët) mund të shesin mallrat e tyre nëpër dynja. Pacifistët thonë se Trump nuk ndezi asnjë luftë gjatë mandatit të tij, gjë që rrallë ka ndodhur me presidentë të tjerë. Por si shpeshherë pacifistët nuk dallojnë mes luftërave për shpëtimin e popujve (për shembull intervenimi në Kosovë) dhe lufta e gabuar e Washingtonit kundër Irakut (e cila irakianëve u kushtoi me 500 mijë të vrarë, shumica civilë).

Biden nuk është intervencionist me çdo kusht. Sa i përket ndërhyrjes në Siri dhe vrasjes së Osama Bin Laden ai ka qenë skeptik. Por ka një pjesë të botës ku Biden është angazhuar për ndërhyrje të shpejtë amerikane: Bosnja dhe Kosova, të cilat ishin viktima të terrorizmit shtetëror serb. Më 1993 Joe Biden vizitoi Bosnjën. E pa tmerrin. U kthye në Washington dhe shkroi një raport. 100 faqe. Raport profetik. Shkroi: nëse nuk e ndalim tash agresionin serb, në Srebrenicë do të ketë gjenocid. Më 1995 forcat serbe kryen gjenocid. Biden shtroi një pyetje legjitime: pse i mbajmë forcat paqeruajtëse të OKB-së në Bosnjë – vetëm për t’i vëzhguar viktimat ndërsa serbët i vrasin e bota nuk u jep armë boshnjakëve për t’u mbrojtur?

Pastaj Joe Biden, me përvojën e senatorit nga vitet 70-të, shkroi: nëse nuk e ndalim Sllobodan Millosheviqin në Bosnjë, ai do të ndihet i trimëruar dhe do t’i dëbojë shqiptarët e Kosovës në Maqedoni dhe Shqipëri. Katër vite pas Srebrenicës kjo ndodhi në Kosovë. Çfarë analize profetike. Kontributi i Joe Biden në çlirimin e Kosovës është esencial. Më 2016 vizitoi Kosovën me premtimin se çdo anëtar i familjes së tij përherë do ta vizitojë Kosovën. Një rrugë në Kosovë mban emrin e të birit të tij Beau Biden.

Joe Biden ndoshta nuk do të bëjë aq sa pritet prej tij në Ballkan (e sidomos në Kosovë), por gjithsesi Kosova nuk do të ballafaqohet me amatorë e tyxharë politikë trumpistë pa asnjë dije e interesim për historinë e Kosovës dhe të Amerikës në Kosovë, të cilët sukses të karrierës e shihnin kur shkonin e festonin e këndonin në Beograd me një (ish-)çetnik serb që më 1995 kishte thënë se për një serb të vrarë nga bashkësia ndërkombëtare do të vriteshin nga serbët së paku 100 myslimanë në Bosnjë. Lojërat e ndyra që disa parti politike të Kosovës i kane bërë në 12 muajt e fundit nën petkun e rrejshëm të “proamerikanizmit” duhet të kenë konsekuencë. Sa më shpejt. E shpejt domethënë: zgjedhje dhe legjitimitet të ri politik.

Në katër vitet e ardhshme në administratën amerikane do të ketë njerëz me përvojë në Ballkan. Por 10 vitet e shkuara dialogu pa cak mes Kosovës dhe Serbisë e ka dëmtuar aq shumë Kosovën, saqë nuk duhet pritur mrekulli. Presione do të ketë edhe nga administrata Biden, e cila do të jetë tani më kooperative me BE-në. Presioni do të jetë më shumë në drejtim të detyrimit të Kosovës për të pranuar një lloj asociacioni të komunave serbe, por nuk duhet harruar se edhe njerëz të administratës së Obamës kanë përkrahur planin për prishjen e kufijve të Kosovës. Në verën e vitit 2018, kur mori hov ideja për “korrigjim kufijsh”, në përkrahje të këtij opsioni doli Charles A. Kupchan, i cili mes viteve 2014-2017 punoi në Këshillin për Siguri Kombëtare të Obamës. Zëra të tillë mund të ketë edhe në të ardhmen, por gjasat që kjo temë të kthehet në tavolinë janë të vogla. Ndërsa gjasat që normaliteti politik në Kosovë të kthehet së shpejti – ato gjasa duken të vogla.

SHKARKO APP