Preshevë, shqiptarët presin fitoren, garojnë 6 parti shqiptare dhe një listë serbe
Partia Progresive Serbe e presidentit Aleksandër Vuçiç, mund të humbasë kontrollin politik në komunën me shumicë shqiptare të Preshevës. Zgjedhjet lokale u mbajtën të dielën edhe në dy komuna të tjera serbe.
Kandidatët shqiptarë në komunën e Preshevës shpresojnë të rimarrin pushtetin lokal të humbur katër vite më parë ndaj rivalëve serbë.
Zgjedhjet e parakohshme për 38 përfaqësues u zhvilluan të dielën, me ftesën për pjesëmarrje masive për mbi 41 mijë votues.
Në garë janë 6 parti shqiptare dhe një koalicion i përbërë nga 8 parti serbe, me në krye progresistët e presidentit Aleksandër Vuçiç.
Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik, është kandidatja e vetme grua që synon tashmë kreun e komunës.
Sinani: Unë uroj për një proces të mbarë dhe demokratik të zhvillohet sot në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Preshevës. Uroj që qytetarët e komunës së Preshevës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës. Duke shprehur një pjekuri dhe maturi politike të përfundojë procesi mbarë ashtu siç e meriton komuna e Preshevës.
Kryesimi i komunës nga dhjetori i ka kaluar Shqiprim Arifit nga Alternativa për Ndryshim, ndërkohë që Ragmi Mustafa, kryetari i Partisë Demokratikë Shqiptare, kërkoi nga shqiptarët e luginës të japin verdiktin e tyre.
Arifi: Ne sot po përfundojmë një udhëtim, një odise që ka filluar qysh më herët. Edhe në këto kushte klimatike edhe në atmosferë demokratike, sot e përfunduam obligimin si qytetarë. Unë ftoj të gjithë qytetarët që të vazhdojnë të kryejnë obligimin. Të frekuentojnë njësitë zgjedhore për të votuar dhe për politikëbërjen e viteve të fundit në komunën tonë. Dhe të bashkohemi në ndryshmin pozitiv dhe vazhdimësisë së qytetit tonë, i cili duhet të përqafohet nga të gjithë në mënyrë prelibishitare.
Mustafa: Para se gjithash në situata që jemi një pushtet kundër Covid-19. Një pushtet për arsim më të mirë dhe zhvillim të bujqësisë, ekonomisë së vogël dhe të mesme. Kujtoj se është një datë e pazakontë në kalendarin gjeografik, sepse do të jetë një ditë vere. Fatmirësisht kemi temperaturat e mira, prandaj shqiptarët e Preshevës nuk do i ndalojë asgjë që të dalin pranë kutive të votimit, të japim votën absolut të lirë. Dhe në këto dy ditët e fundit e mëhershme parazgjedhore qytetarët kanë ndarë mendjen për të zgjedhur dhe në këtë drejtim deri në orën 20:00 të gjithë shqiptarët do të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar. Prandaj pritet çlirimi i Preshevës.
Kuvendi komunal i Preshevës u shpërnda në muajin dhjetor pasi prej muajsh nuk siguronte dot kuorumin, ndërkohë që komuna ka shkuar tri herë në zgjedhje në katër vitet e fundit.
Partitë opozitare serbe që bojkotuan zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, kanë refuzuar të marrin pjesë edhe në zgjedhjet në Preshevë e në dy komunat e tjera, Zajecar e Kosjericë.