Presidenti Thaçi përkujton ushtarët shqiptarë të vrarë në armatën jugosllave
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë sot në akademinë përkujtimore me rastin e 26-vjetorit të vrasjes së Jetullah Deskut në armatën e ish-Jugosllavisë.
Presidenti Thaçi në këtë tubim përkujtimor tha se një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së Kosovës në dekadën e fundit të shekullit që shkoi është ajo e vrasjes së të rinjve shqiptarë në armatën e ish-Jugosllavisë.
“Sot përkujtojmë njërin prej djemve që 26 vjet më parë u vra tinëzisht në kazermën ushtarake të Suboticës, djaloshin njëzetvjeçar, Jetullah Desku. Ishte ndjenjë shumë e rëndë për familjet, të cilat i përcillnin djemtë e tyre në gjoja shërbim të rregullt ushtarak dhe pas një kohe ktheheshin në arkivole, të vrarë në lulen e rinisë së tyre”, tha presidenti Thaçi.
Ai tha se është botërisht i njohur fakti që shqiptarët nën Jugosllavinë komuniste kanë qenë vazhdimisht popull i persekutuar, i diskriminuar, i ndjekur, i vrarë dhe, së fundmi, u ushtrua edhe gjenocidi e spastrimi etnik nga armata dhe policia serbe.
“Edhe atëherë kur dikush kishte iluzione se fryma e vëllazërim-bashkimit ishte në favor edhe të popullatës shqiptare nën ish–Jugosllavi, ka qenë pikërisht koha gjatë qëndrimit të të rinjve tanë në shërbim ushtarak, ajo që e zbulonte natyrën e vërtetë të Jugosllavisë. Asnjëherë shqiptarët nuk ishin trajtuar si të barabartë në armatën jugosllave, ashtu siç nuk trajtoheshin njëjtë edhe në sfera të tjera të jetës politike, arsimore, kulturore”, tha presidenti Thaçi.
Gjatë periudhës së të ashtuquajturit shërbim ushtarak, presidenti Thaçi tha se shqiptarët ishin të vëzhguar dhe të mbikëqyrur me kujdes, veçanërisht nga shërbimi sekret i APJ-së.
Presidenti Thaçi tregoi se vrasja e shpeshtuar dhe sistematike u bë veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981.
“Pas këtij viti u bënë shumë arrestime, burgosje, gjykime dhe dënime të rënda të ushtarëve shqiptarë nga gjykatat ushtarake anembanë ish-Jugosllavisë. Gjithmonë si procese të kurdisura, me motive gjoja armiqësore ndaj shtetit dhe armatës jugosllave, ato shërbyen që shumë të rinj shqiptarë të kalojnë vite burgjesh të rënda kudo nëpër ish-Jugosllavi”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai tha se Jetullah Desku dhe dhjetëra shokët e tij janë viktima të shumëfishta të APJ-së dhe të ish-Jugosllavisë, dhe si të tilla janë njëmend të pakrahasueshme në historinë tragjike të shqiptarëve në atë shtet.
“Ata u vranë në tradhti nga një armatë, e cila përpiqej t’i detyronte të jenë besnikë ndaj saj. Ata ktheheshin në shtëpitë e tyre në arkivolet e bllombuara, të cilat nuk guxohej të hapeshin, me raportimin e rremë për vetëvrasjet e tyre”, tha presidenti Thaçi.
Duke iu drejtuar familjes Desku, presidenti Thaçi tha se vrasja e Jetullahut, 26 vjet më parë, ishte e rëndë për të gjithë qytetarët e Kosovës, por ajo tregoi edhe madhështinë tuaj, me qëndrimin dhe përballimin e dhembjes.
“Ju arritët të tregoni botërisht që Jetullah Desku është vrarë, vetëm se ishte shqiptar. Ju refuzuat që në varrimin e djalit tuaj të merrte pjesë armata jugosllave, autorja e krimit. Ju kërkuat që vrasja e Jetullahut të ndriçohet dhe të emërtohet me emrin e vërtetë vrasje dhe jo vetëvrasje. Ju me qëndrimin tuaj bëtë që të shpërthejë e vërteta për vrasjen e ushtarëve shqiptarë në kazermat jugosllave. Ju me qëndrimin tuaj bëtë që në varrimin e Jetullahut të marrin pjesë me dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës, që mijëra qytetarë të solidarizohen me dhembjen tuaj”, tha presidenti Thaçi.
Ai tha se varrimi i Jetullahut u bë manifestim i unitetit politik të shqiptarëve dhe simbol i rritjes së vetëdijes politike të qytetarëve të Kosovës se Jugosllavia e dirigjuar nga politika e Beogradit ka qenë dhe mbetej armiqësore ndaj shqiptarëve.
Presidenti Thaçi, i cili në shenjë respekti përmendi edhe emrat e ushtarëve të shumtë shqiptarë të vrarë në armatën jugosllave, në fund tha se emri, jeta dhe vdekja e Jetullah Deskut dhe gjithë ushtarëve të vrarë në APJ kurrë nuk do të harrohen.
Akademia përkujtimore për 26-vjetorin e vrasjes së Jetullah Deskut në armatën e ish-Jugosllavisë u mbajt në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë.