Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bisedon me komandantin e KFOR-it për çështjen e urës në Mitrovicë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se autoritetet kosovare duhet të konsultohen dhe koordinohen me NATO-n në veçanti për ndërtimin e një plani të përbashkët për hapjen e urës në Mitrovicë. Osmani i bëri këto komente gjatë një takimi të hënën me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutas, njoftoi Presidenca. Derisa e përsëriti qëndrimin e saj se çështja e hapjes së urës nuk duhet të bëhet temë e dialogut me Serbinë, Osmani ritheksoi se hapja e urës “si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie”.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it. Kjo nxiti edhe protestë të serbëve të Kosovës në veri javën e kaluar, të cilët e kundërshtojnë hapjen e urës. Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2014, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Tani ura është e hapur vetëm për këmbësorë dhe ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në të. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.

Javën e kaluar, ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ka rrezik të vërtetë se hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë. Po ashtu javën e kaluar, Osmani u kërkoi autoriteteve në vend që të sigurohen që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit, e as prani të shtuar të KFOR-it në atë pjesë të vendit. KFOR-i ka paralajmëruar disa herë se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë. /REL/

SHKARKO APP