Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani preket nga Covid-19

Kryeparlamentarja dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është prekur nga Covid-19. Osmani e ka bërë vetë publik lajmin, përmes një postimi në facebook, ku thotë se në dy javët e ardhshme do të punojë nga shtëpia.

“Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv. Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Nga ana tjetër, Osmani ka lutur qytetarët që të respektojnë masat mbrojtëse ndaj Covid-19. ”Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar”, është shprehur ajo.

SHKARKO APP