Presidentja Osmani nderon mërgatën shqiptaro-amerikane në SHBA me medalje presidenciale
Gjatë vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim të veçantë me anëtarë të mërgatës shqiptaro-amerikane, duke i nderuar për kontributin e tyre historik në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në një ceremoni solemne, Osmani ndau medalje presidenciale për disa prej figurave më të shquara të diasporës, duke përfshirë “Urdhrin e Pavarësisë” dhe dekoratën “Hasan Prishtina”, në shenjë mirënjohjeje për rolin e tyre vendimtar në periudhën e vështirë të viteve ’80 dhe ’90.
Presidentja theksoi se në kohën kur populli i Kosovës përballej me represionin dhe dhunën e regjimit të Millosheviqit, mërgata shqiptaro-amerikane u shndërrua në një shtyllë të fuqishme mbështetjeje dhe një burim shprese për shqiptarët në atdhe. Ajo theksoi se kontributi i tyre nuk ishte vetëm material apo logjistik, por thelbësor për mbijetesën dhe për realizimin e projektit shtetformues të Kosovës.
“Diaspora ishte zëri ynë në botë, forca jonë në errësirë dhe mbështetja jonë në momentet më të vështira,” u shpreh Osmani, duke i cilësuar anëtarët e mërgatës si “heronj të heshtur të lirisë”.
KOHA JONË SONDAZH

