Presidentja Osmani: Vaksinat anti-covid do të vijnë në prill, unë do vaksinohem e para
Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për situatën e pandemisë dhe për vaksinat anti-covid. Në një deklaratë për mediat, ajo tha se vaksinat e para do të vijnë në muajin prill. E para do të jetë ajo që do të vaksinohet, dhe pastaj do t’i jepet prioriteteve siç janë personeli mjekësor, të sëmurët kronikë dhe të moshuarit.
”Kjo nuk do të thotë se nuk po punohet, po ashtu do të kërkojmë ndihmë nga shtetet që kanë shtesë të vaksinave. Unë natyrisht që do ta marr vaksinën, por prioritet mbetet personeli mjekësor, të sëmurët kronikë si edhe të moshuarit”, tha Osmani.
Në fjalën e saj, Osmani përshendeti personelin mjekësor, i cili ka qëndruar në vijën e parë të frontit edhe pse ka qenë një situatë tejet e vështirë. Osmani gjithashtu tha se qeveria nuk duhet që t’i kthej sytë nga shëndetësia vetëm kur ka pandemi, por ajo dhe arsimi duhet që të kenë vëmendjen e plotë të tyre.
”Jap vlerësimin maksimal për mjekët dhe infermierët, të cilët pavarësisht kushteve të vështirë kanë qëndruar në vijën e zjarrit në këtë situatë të vështirë për shkak të pandemisë. Nuk duhet t’i kthejmë sytë nga shëndetësia vetëm kur kemi pandemi, duhet të përmirësojmë kushte shëndetësore duke e bërë prioritetin numër një. Shëndetësia dhe Arsimi duhet të marrin vëmendjen tonë. Duke bërë bashkë përpjekjet tona shpresoj se do të ecim përpara më përmirësimin e kushteve në shëndetësi. Sot mjekët infermierët kanë nevojë për përkrahjen tonë”.