Prishtinë, kamarieri magjistër i juridikut

Blerim Cakolli, 29 vjeçari nga Prishtina, punon si kamarier në një bistro-bar të Prishtinës, përkundër faktit se, prej dy vitesh, ka thirrjen e magjistrit të shkencave juridiko-civile. Ai është diplomuar në vitin 2012 dhe menjëherë pas studimeve master, ka konkurruar dhe është pranuar si praktikant në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka vijuar praktikën për një vit, deri në gusht të vitit 2013. Përkundër premtimeve se, praktika një vjeçare do t’iu ndihmoj të punësohen diku, fillimisht si asistent dhe gjatë kësaj kohe ta kryejnë edhe provimin e jurisprudencës, kjo nuk ka ndodhur.

Sipas Cakollit, arsye për këtë është vendosja e kushteve eliminuese në konkurse për punë ngase, ata të cilët aplikojnë, duhet të kenë së paku tri vite përvoj pune, gjë të cilën, thotë Cakolli, asnjë nga juristët e ri nuk e ka.

“Ky është një ndër kushtet më të shumta që ndikon në eliminimin e të rinjve dhe është shkas që ndikon të mos pranohemi, dhe është e pamundur të plotësohet sepse institucionet nuk kanë kontribuuar që të na mundëosjnë ta bëjmë atë përvojë të cilën ata e kërkojnë, që tri vjet me radhë ta bëjmë ate.  Një vit përvojë, na kanë bërë të obligueshme dhe ne kemi shkuar dhe e kemi ndjekur këtë përvojë nëpër gjykata, për shkak që të na bëhet e mundur kalimi i provimit të jurisprudencës” thotë ML.Sci. Cakolli i cili shton se i përcjell të gjitha konkurset që kanë të bëjnë me profesionin e tij dhe ka pasur konkurse të shumta por që në asnjë nga ta nuk ka pasur sukses të pranohet. Për më tepër, thotë se në disa raste, në konkurse ku i ka plotësuar kushtet bazike, nuk është ftuar fare në intervista. Si arsye për këtë ai përmend edhe nepotizmin.

“Kjo shkon krejt në baza se, kë dojnë ata me e pranua apo kë e kanë si prioritet, në momentin që e shpallin konkursin. Kjo është e vërejtur, sepse unë konkurroj prej kohësh për punë, në shumë vende, qe tri vjet, non stop” thotë 29 vjeçari, për të cilin, jeta nuk është vetëm shkencë dhe mendon se njeriu duhet të merret edhe me gjëra të tjera, megjithatë, ushtrimi i profesionit për të cilin je shkolluar, duhet të jetë primar. Sipas tij, kjo në Kosovë ndodh shumë rrallë.   

“Nevoja gjithmonë vjen para dëshirës. Në një mënyrë, këtu te ne në Kosovë, studimet janë bërë dëshirë. Për mua personalisht, janë si hobi. Unë mundem me kryer edhe dy apo tre fakultete, sa të jetë e nevojshme dhe sa kam dëshirë, në këtë mënyrë, mirëpo puna është një lloj nevoje sepse ne varemi krejt prej kësaj pune. Punën të cilën e bëjë unë, varem nga ajo” thotë Cakolli i cili rrëfen se, prej fillimit të studimeve në vitin 2007, ai ka punuar gjatë gjithë kohës dhe ka studiuar, njëkohësisht, duke mos dashur që ta rëndojë buxhetin e familjes dhe në moshën e tij madhore, nuk ka dashur të kërkojë para nga prindërit.

Dëshprimi më i madh për magjistrin e ri të shkencave juridiko-civile erdhi pas përfundimit të studimeve master dhe pamundësia që të gjej punë si jurist, për çka është shkolluar me vite. Kështu si Cakolli, nga rrethi i ngushtë i kolegëve të tij, janë rreth 15 jurista të rinj me magjistraturë.

Problemi sipas tij qëndron në planifikimin e tregut të punës, të cilin Cakolli e quan katastrofë dhe i fajëson institucionet që nuk i përvetësojnë kuadrot e reja të shkolluara, duke vendosur kushte të paarritshme për të rinjtë, sikurse është përvoja trevjeçare e punës të cilën, të rinjve nuk iu mundëson askush.  

“Ministria e Drejtësisë, une edhe vet konkurset kur i kam parë, i qesin me dy arsye: njëra arsye është stafi brendshëm, kurse arsye tjetër është stafi i jashtëm. Edhe ja cek përvojën, duhet me pas përvojë kaq. Kurse atë mundësinë për me e arrit atë përvojë nuk na jep, hiq” thotë Cakolli dhe shton se, edhe nëse dikush ia jep mundësinë për me krijua stazh, atë e bënë duke mos ia dhënë rrogën juristit të ri ndërsa shkuarja në punë dhe kryerja e përvojës së parë profesionale, megjithatë , ka goxha shpenzime dhe kjo për shumicën është e papërballueshme.

Zgjidhjen, për vete personalisht, Blerim Cakolli e sheh në disa etapa. Fillimisht, ai planifikon ta kryej  provimin e jurisprudencës dhe pastaj të tentoj të punësohet si jurist, pa marr parasysh ku. Nëse nuk do të mund ta bëjë këtë, do të tenton ta hap një avokaturë të tij personale. Po që se nuk do të ketë sukse ta hap avokaturën , do të provojë edhe në prokurori, si ndihmës në fillim dhe pastaj të kalojë deri te profesioni. Por nëse nuk ja arrijnë dot, as këtë, atij i mbetet vetëm një opsion.

“Si opsion tjetër të mundshëm e shoh mos jetesën në Kosovë. E shkaku pikërisht është kjo. Se vendi i punës nuk është i hapur. Jetesa është e mirë sepse ne jemi të kënaqur me mënyrën sa jetojmë. Nuk marrim ndonjë vlerë të mirë të rrogës, mirëpo ato që i marrim, jemi të kënaqur që jetojmë në vendin tonë sepse zgjidhje tjetër është dalja jashtë, për me u fut në tregun e punës diku tjetër dhe me u fokusua, deri sa kemi edhe pak energji që na ka mbet, për me marr veten që me u gjet edhe atje diku në ndonjë profesion” përfundon magjistri i shkencave juridiko-civile, Blerim Cakolli, 29 vjeçari nga Prishtina i cili punon si kamarier në vend se të ushtroi profesionin për të cilin është shkolluar dhe i ka shkrirë 17 vjet të jetës së tij.

SHKARKO APP