Problemet e teksteve në Luginë, nuk zgjidhen me deklarata politike
Nga Sevdail Hyseni/Nuk zgjidhet problemi i teksteve shkollore në Luginë të Preshevës, me transferimin e tyre nga Shqipëria, apo nga Kosova, por me një korrigjim të plan programeve në Ministrinë e Arsimit të Serbisë, e cila prej vitesh diskriminon arsimin e pakicës shqiptare në Serbi.
Nxënësit e shkollave shqipe në Luginë të Preshevës, mësojnë sipas plan programit të Serbisë, i cili nuk lejon që në lëndët mësimore: gjuhë shqipe, histori dhe muzikë, të mësohet 100 për qind nga kultura kombëtare e pakicave.
Ministria e Arsimit në Serbi, i ka ofruar Këshillit Nacional të Shqiptarëve, ashtu siç u ka ofruar edhe Këshillave të tjera nacionale të hungarezëve, boshnjakëve etj, të hartojnë tekstet mësimore në frymën e plan programeve të kësaj ministrie, mirëpo institucionet shqiptare, nuk kanë punuar ashti si pakicat e tjera për zgjidhjen e kësaj problematike në frymën e ligjit.
Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Serbi, duke u thirr në ligjet diskriminuese të Ministrisë së Arsimit, pastaj duke u thirr në mungesë të kuadrove kompetente për hartimin e teksteve mësimore, ka kërkuar që tekstet të barten nga Kosova dhe Shqipëria.
Institucionet lokale dhe ato qendrore në Luginë të Preshevës, duket ta kenë të qartë se problemi i teksteve me mësim në gjuhën shqipe në Serbi, nuk është aq politik, sa është profesional.
Të kujtojmë përvojën e hidhur nga e kaluara, kur Këshilli Nacional i Shqiptarëve, kërkonte nga Kosova tekstet mësimore e ato bllokoheshin në kufi, pastaj kërkonte Abetaren nga Shqipëria e në shkolla nxënësit mësonin me dy Abetare, ngase nuk ishin me plan program të Ministrisë së Arsimit në Serbi.
Këto lëvizje jo të koordinuara mirë nga institucionet komunale e qendrore, duke llogaritur edhe partitë politike shqiptare, jo rrallë i kanë sjellë në telashe faktorët shqiptarë në Prishtinë e Tiranë.
Ky problem është i ngjashëm me atë të simboleve kombëtare, të cilat nuk janë të rregulluara me ligj, por për hatër të institucioneve lokale, Beogradi lejon të ngrihet Flamuri Kombëtar vetëm gjatë fetave kombëtare, vetë një ditë.
Shembull kemi me dhjetëra raste kur të rinjtë shqiptarë janë dënuar nga gjykatat komunale dhe janë keqtrajtuar nga policia për shkak përdorimit të simboleve kombëtare nëpër gazmendet familjare, madje disa prej tyre kanë ikur jashtë vendit për dënime të kësaj natyre.
Të ngjashëm e kemi edhe rastin e Deklaratës së demilitarizimit, të cilën vetë Serbia e ka paraparë me programin e Trupit Koordinues, të cilën nuk e realizon në praktikë e mos të flasim për Marrëveshjen e Konçulit, të cilën nuk e njeh e thotë se as nuk e ka nënshkruar fare. Pra, me një fjalë, Lugina e Preshevës, vazhdon të jetë e stërngarkuara me forca të shumta, të cilat paraqesin një pengesë për krijimin e një ambienti të qetë dhe stabil.
Nëse këto gjëra nuk rregullohen me frymën e ligjit në Serbi, aspak nuk është e siguritë, jo vetëm rreth teksteve mësimore në gjuhën shqipe, por edhe në fushat e tjera politike, ekonomike, kulturore, ngase po erdhi në pushtetin qendror ndonjë Vuçiq tjetër, gjendja do të kthehej në pikën zero e problemet e shqiptarëve do të vazhdojnë me avazin e vjetër.