Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj 19 personave për kontrabandë

Nën dyshimet për krim të organizuar në grup, lidhur me veprat penale për kontrabandë me mallra, tregti të ndaluar dhe shmangie doganore, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj nëntëmbëdhjetë personave.

Në një njoftim të Prokurorisë Speciale thuhet se “të akuzuarit, si grup i organizuar kriminal, kanë bërë shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore dhe shmangie tatimi, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit për 350,000 euro”.

“Sipas aktakuzës, të pandehurit, si grup i organizuar dhe i strukturuar kriminal, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në vazhdimësi kanë kontrabanduar mallra nga Republika e Maqedonisë [v.j. së Veriut], përmes rrugëve malore, në vende të ndryshme të Republikës së Kosovës, me ç’rast gjatë transportimit të mallrave, kanë përdorur vetura të ndryshme si mjete përcjellëse për sigurimin e rrugëve që shfrytëzonin gjatë kontrabandimit. Në këtë mënyrë e kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, përkatësisht Doganat dhe Administratën Tatimore të Kosovës, në shumë prej rreth 350,000 eurosh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Sipas të njëjtit, shumica e të pandehurve akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal, shmangie nga pagesat e tarifave të detyrueshme dhe për tregti të ndaluar.

Prokuroria i identifkoi të pandehurit vetëm me iniciale. /REL/

SHKARKO APP