Propozimi i Rexhep Qoses për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi, Majko: Pse gabon miku im

Deputeti Pandeli Majko e konsideron të gabuar propozimin e akademikut Rexhep Qosja për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, i cili u shpreh para pak ditësh në një emision televiziv se Serbisë duhet t’i jepet veriu i Kosovës në këmbim të Luginës së Preshevës, ndërsa bashkimi me Shqipërinë do të ndodhë. Përmes një statusi në Facebook, Majko shprehet se historia e re dhe e vjetër i kanë mësuar kombet se kufijtë nuk vendosen mbi dëshira kombëtare, ndërsa hapja e diskutimeve të tilla pas krizës së “trenit” të provokimit serb nuk është i dobishëm.

Postimi i Pandeli Majkos:

Rexhep Qosja padyshim është një cilësi e pandryshueshme kombëtare.
Propozimin e tij për shkëmbim të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë e konsideroj të gabuar.
Historia e re dhe e vjetër i kanë mësuar kombet se kufijtë nuk vendosen mbi dëshira kombëtare. Ato janë dhe mbartin garancitë ndërkombëtare. Kufiri është serioziteti i cdo shteti për të respektuar fqinjin. Ai shpreh vullnetin për të respektuar rregullat ndërkombëtare që e bëjnë atë anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Hapja e diskutimeve të tilla pas krizës së “trenit” të provokimit serb nuk është i dobishëm. Tashmë ka një vullnet ndërkombëtar të shprehur për sovranitetin territorial të Kosovës. Dëshirat janë njerëzore. Shteti ka qëllime. Nuk është e nevojshme që, pikërisht tani, të ngrihet nga ata që i duan dhe nuk i duan shqiptarët pyetja “Cfarë duan shqiptarët!?”
Pasiguria në marrëdhëniet ndërkombëtare nxjerr të humbur palën që e nxit atë.
Me respektin maksimal për Rexhep Qosen, për një mik që koha nuk e ndryshon… Nga ai kam mësuar se serbët njohin vetëm ato kontrata që nuk e nxjerrin humbës.

SHKARKO APP