
Iniciativa qytetare “Liria ka Emër” ka zhvilluar një aksion simbolik para Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Përfaqësuesi i kësaj iniciative, Çlirim Haziri, tha se kanë dalë për të shprehur kundërshtimin e tyre qytetar e politik ndaj, siç i konsiderojnë ata, standardeve të dyfishta në procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.
“Ky aksion i joni nuk është kundërshtim ndaj drejtësisë përkundrazi është një qëllim në mbrojtje të saj. Ne besojmë se drejtësia nuk mund të jetë selektive, nuk mund të udhëhiqet nga paragjykimet dhe as të zbatohet me standarde të ndryshme varësisht nga kombësia, historia apo përkatësia politike e të akuzuarëve” Haziri ka paralajmëruar organizimin e protestave nëse vazhdon, siç e ka cilësuar ai, heshtja e institucioneve vendore dhe atyre evropiane për shqetësimet lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Këtë e ruajmë, e do ta shfrytëzojmë çdo herë që do të ketë nevojë për to, edhe besoj që nëse vazhdohet me këtë heshtje, gjithashtu institucionalen, po edhe këtë heshtje të institucioneve evropiane, pra ne nuk do t’i lejojmë edhe nuk do të mundemi të qëndrojmë të heshtur, do ta shfrytëzojmë të drejtën tonë për protestë” Haziri foli edhe për Projektligjin për Dhomat e Specializuara, i cili është rikthyer në Kuvend, duke thënë se pret që ai të votohet dhe të procedohet.
“Jo, dihet, dihet që do të votohet Ligji për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtjen e saj do të votohet. Po, kemi garancë nga zëri i qytetarëve, edhe këtë ligj e kemi fituar, edhe këtë ligj, nëse është e nevojshme, do ta mbrojmë”. Në rastin për pengim të drejtësisë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 17 muaj burgim. Me 12 muaj burgim është dënuar edhe ish-drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj, ndërsa Fadil Fazliu është dënuar me 12 muaj dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, me një muaj burgim. Ndërkaq, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është shpallur i pafajshëm.
