Provokon presidenti serb: Shqiptarët në Kosovë nuk janë autoktonë
“Serbia dëshiron të bëhet anëtare e BE’së, këtë e dua edhe unë, por Serbia asnjëherë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës e Metohisë” u ka thënë sot në Beograd presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolic, gazetarëve gjermanë.
Unioni mund të heq dorë nga negociatat (me Serbinë) nëse do të thoshte “cullak” se duhet ta pranoni pavarësinë e Kosovës, ka thënë Nikolic, duke konstatuar se “ata po shmangen të thonë se ne duhet ta pranojmë pavarësinë e Kosovës e Metohisë”, transmeton Koha.net raportimet e medieve të Beogradit nga ky takim i presidentit serb me gazetarët gjermanë.
Duke theksuar se Serbia nuk ka bërë gabim që nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, ka shtuar se “një ditë ndoshta në Serbi do të lindet politikani që do të thotë se duhet ta njohim pavarësinë e Kosovës e të Metohisë dhe t’i fitojë zgjedhjet, por sot kjo është e pamundur”.
Për dialogun e Brukselit Nikoliq ka thënë se BE ka vendosur kornizën brenda të cilës duhet të bisedohet, por “kjo kornizë e re është kornizë e BE-së”.
Në vazhdim ai ka kujtuar Atentatin e një shekulli më parë të Sarajevës, në të cilin serbët vranë Franc Ferdinadin, trashëgimtarin e fronit Austro-hungarez, dhe shkaktuan Luftën e Parë botërore, për të vënë ndërlidhjen me situatën aktuale rreth Kosovës.
“Nëse Serbia do të pranonte pavarësinë e Kosovës, do të shkaktohej luftë qytetare” citojnë mediet e Beogradit të ketë thënë ai, pa e sqaruar se pse do të ndodhte kjo.
Ndërlidhja e serbëve me Kosovën, sipas tij, është vendimtare, ndërsa rreth kërkesës që Kosova të bëhet anëtare e UNESCO-s është shprehur se kështu “ka filluar ofensiva ndaj krenarisë së popullit serb”.
“Shekujt tanë shihen në gurë, e nuk e di ku shihen, ku gjeni gjurmë të pranisë shqiptare në Kosovë e Metohi më të vjetër se 50 vjeç” ka thënë Nikoliq duke përmendur në këtë kontekst xhamitë, të cilat të gjitha janë të reja.