Pse akuzoj shefin serb të shtabit, që ka vrarë edhe shqiptarë?!
Intervistoi Ben Andoni
Natasha Kandiq është një serbe kurajoze 70-vjeçare, që i ka sjellë shumë staturë të drejtave civile të vendit të saj, por edhe asaj ballkanike në përgjithësi. Është mbajtëse e disa çmimeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, kurse në ditët e fundit është në gjyq me vetë kreun e ushtrisë serbe Ljubisha Dikoliq, që e akuzon direkt për krime lufte ndaj 53 shqiptarëve. Ky i fundit ka nxjerrë dokumente që e mohojnë dhe madje i kërkon 1 milion Dinar (1 Euro=120 Dinar), dëmshpërblim, një shumë bajagi e madhe. Videoja e saj, ku shfaqet ekzekutimi i gjashtë boshnjakëve, i dha dikur dërrmën serbëve për mbrojtjen absurde që i bënin Srebrenicës. Kurse vajtje-ardhjet e saj në Kosovë, mu në mes të luftës, dhe të dhënat që mblodhi atje ishin ndihma më e madhe për Gjykatën e Hagës në akuzat për krimet e luftës ndaj shqiptarëve. Ndërkohë, sociologia e njohur ka qenë e ashpër po ashtu edhe me kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët, kur ata nuk kanë bashkëpunuar me drejtësinë. Në këtë intervistë, ajo shpjegon gjyqin e fundit, ku është protagoniste; flet për të humburit në Ballkan; shqiptarët e persekutuar; por edhe djemtë e këqij të Ballkanit, që qeveritë e tyre nuk i lëshojnë. Ka një kurajë të madhe qytetare që e vlerësojmë, por që nga Shoqëria Civile shqiptare nuk është mbështetur fare. Intervista u bë via-email, duke shfrytëzuar njohjen me të. Natasha Kandiq u përgjigj në kohën e duhur, tepër koncize dhe e saktë…, madje na ka përcjellë dhe kujtimet e saj për Kosovën, që do t’i botojmë shpejt…Në Serbi kur duan ta ngacmojnë dhe ofendojnë i bëjnë fotomontazhe me plisin kosovar në kokë. Ajo nuk tutet. Sytë e saj shohin vetëm tutje.
E nderuar zonja Kandiq! Në çfarë stadi është gjyqi juaj ndaj kreut më të lartë të ushtrisë serbe Ljubisha Dikoviq?
“Gjenerali Dikoviq më padit së fundmi për shkelje të nderit dhe reputacionit. Në përputhje me ligjin, më 17 shkurt 2015, ai u mor në pyetje në Gjykatën Komunale të Beogradit dhe pastaj foli për ‘të pavërtetat që unë i kisha publikuar" dhe që i kishin shkaktuar një dëm të madh si prind por edhe si Shefi i Shtabit të ushtrisë serbe. Nga ana tjetër, e kundërshtoi informacionin në lidhje me periudhën e akuzuar, kur kish kryer funksione ushtarake në terren, ndërsa për krimin në zonën e tij të përgjegjësisë, tha vetëm se ka pasur disa individë që kanë kryer krime, por ai ia ka dorëzuar emrat e tyre Prokurorisë, që në kohën e luftës. Gjenerali Dikoviq, ndërkohë, ka marrë mbështetje të madhe nga Kryetari i Serbisë Tomislav Nikoliq dhe gazeta më e madhe ditore "Politika". Unë, sipas Presidentit të Serbisë, akuzohem se dua të shkatërroj reputacionin e ushtrisë, kurse "Politika" thotë se po akuzoj fort, por pa prova. Për fat të keq, publiku serb nuk reagon për faktin se Serbia ka zbuluar një varr masiv, që përmban trupat e 53 shqiptarëve që u vranë në prill të vitit 1999, mu në zonën e përgjegjësisë së Shefit aktual të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralit Dikoviq. Gjyqi do të vazhdojë më 18 maj dhe pastaj vjen radha ime të dëgjohem.”
A mendoni se jeni e përgatitur në mënyrën e duhur për mbrojtje me dokumentet që keni në posedim?
“Unë do t’u propozoj dëshmitarëve që kanë informacion në lidhje me atë që ka ndodhur në zonën e përgjegjësisë së gjeneralit Dikoviq të shprehen, por çështja është: nëse ata do të kenë guximin e duhur që të flasin haptas. Unë jam krejtësisht e qetë dhe e sigurt se gjenerali Dikoviq nuk është i denjë për ta udhëhequr ushtrinë dhe për të mbajtur poste publike. Ndërkohë, nuk jam e sigurt nëse gjykata do të vendosi në mënyrë të pavarur”.
Në dekadat e fundit në shoqërinë e të drejtave civile ballkanike, duket se shpesh ju keni luftuar e vetme. Si ka ndodhur që Shoqëria Civile e Serbisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk ju është bashkuar në të tilla raste për të bashkëpunuar?
“Shoqëria Civile dhe media kritike në Ballkan mbeten në lidhje të vazhdueshme me luftërat. Në kohën e luftës në Bosnjë e Hercegovinë, disa media të pavarur kanë raportuar shumë objektivisht për ngjarjet, të cilat me këtë rast edhe kanë treguar në mënyrë të qartë mbi përgjegjësinë e Sllobodan Millosheviqit, si edhe të institucioneve serbe. Megjithatë, gjatë luftës në Kosovë, realiteti ishte i ndryshëm. Shqiptarët janë dëbuar, ata që mbetën në Kosovë nuk janë lejuar të dalin nga shtëpia dhe mediat dhe shoqëria civile në Serbi kritikonin komunitetin ndërkombëtar për bombardimin e Serbisë, duke besuar se shqiptarët janë përgjegjës për këtë gjendje të krijuar. Situata ishte e tillë që cilido prej tyre mund të shkonte nga Serbia në Kosovë dhe të shikonin realisht se çfarë po ndodhte. Unë kam udhëtuar çdo 10 ditë, dhe pastaj gjithnjë kam shkruar për atë që pashë. Cikli im i shkrimeve ‘Letra nga Kosova’ kanë qenë të qarkullueshme në internet por në Serbi askush nuk donte t’i botonte ato. Të gjithë ishin të zemëruar me NATO-n. Unë kam qenë e zhgënjyer, pasi askush nuk shprehte ndonjë simpati me shqiptarët, të cilët ishin terrorizuar në kulm nga ana e policisë dhe ushtrisë serbe”.
Përveçse keni denoncuar krimet serbe në Kosovë, nga ana tjetër, ju keni shprehur mospajtim me vendimet e padrejta që lidhen me lirimin e shumë personazheve kosovare. Sipas jush, pse politika ballkanase është e interesuar t’i mbajë djemtë e këqij gjithnjë të paprekur?
“Më duhet t’ju them se panorama e vendeve post-jugosllave nuk është optimiste. Gjatë bombardimeve të NATO-s, forcat serbe kanë vrarë 7.346 civilë shqiptarë të Kosovës dhe 1.354 anëtarë të UÇK-së, madje kompensimet financiare për familjet e viktimave ushtarake janë shumë më të mëdha sesa ato të familjeve e viktimave civile. Dhe në Kosovë dhe në Serbi për komandantët e luftës referohet gjithmonë si heronj. Këto rrëfime politike kanë për qëllim për t’i mbrojtur kundër përgjegjësinë penale, të gjithë ata që kishin një rol kryesor në krimet e luftës. Kjo mund të shihet në rastin e Gjeneralit Dikoviq. Ndërsa është pozitiv fakti se kryeministri aktual nuk e ka mbështetur Presidentin e Serbisë në mbrojtjen që ky i fundit, i ka bërë gjeneralit Dikoviq, por tha se autoritetet duhet të hetojnë pretendimet e akuzës. Në Kosovë, kjo është veçanërisht e vështirë për t’u thënë p.sh. nëse një komandant i UÇK-së, është përgjegjës për krime lufte kundër serbëve dhe romëve. Ajo perceptohet menjëherë si armiqësi ndaj Kosovës dhe jo si rrugë për vendosjen e sundimit të ligjit. Për të përfunduar, çdo shoqëri lavdëron të ashtuquajturit viktima të saj, që ‘të tjerët’, i shohin si armiq.”
A mendoni se Ballkanit i duhet shumë të përmirësojë udhën drejt integrimit në Bashkimin Evropian?
“Bashkimi Evropian, ende, nuk ka as edhe një strategji të qartë për të integruar shoqëritë post-konfliktuale. Bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës për të duket se ishte e vetmja strategji. Bashkimi Evropian nuk përmend konfrontimin që kanë të bëjnë me të kaluarën, dhe pa këtë proces, Ballkani nuk i përket Evropës, e cila në rastin e Francës me Gjermaninë ka treguar sesi historia e përbashkët është kusht për të ardhmen e mirë”.
Edhe njëherë: A ndiheni disi e pambështetur prej kolegëve tuaj ballkanas në luftën e vazhdueshme për të drejtën?
“Unë ndihem e sigurt dhe si dikushi që gëzoj shumë privilegje. Në të gjithë vendet, që dikur ishin pjesë e ish-Jugosllavisë ndihem mirë, njerëzit më zgjasin duart përzemërsisht, më ftojnë për të ardhur … me pak fjalë për mua nuk ka kufi në rajon”.
A mund të na thoni diçka për angazhimet tuaja të mëparshme dhe çfarë keni ndërmend të bëni në të ardhmen?
“Unë jam kujdesur së fundmi për themelimin e Komitetit Rajonal mbi Krimet e Luftës (RECOM), i cili do të bëjë një listë të të gjitha viktimave civile dhe ushtarake, emër për emër. Rreth kësaj ideje janë mbledhur gati 2.050 organizata dhe individë të shquar nga të gjitha vendet në territorin e ish-Jugosllavisë. Ne kemi një koalicion të fortë rajonal, madje edhe mbështetjen e krerëve të shteteve në Ballkan, por problemi është se çdo vit ne kemi zgjedhje në disa prej shteteve, ndaj na duhet që shpesh të kemi nevojë për të lobuar për mbështetje. Kurse me një ekip të hulumtuesve nga Kosova dhe Serbia po shkruaj njëLibër për Kujtimin e Kosovës për plot 13.535 njerëz që vdiqën ose u zhdukën në lidhje me luftën. Unë dua të besoj se do jemi në gjendje t’ia dalim për të përfunduar, dhe se emrat e botuar do jenë pengesa më e madhe për të ripërsëritur krimin”.