Publikohet vendimi i plotë i Kushtetueses, Kosova nga sot mund të shkojë në zgjedhje
Kosova nga sot mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme pasi Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë për votën e deputetit Etem Arifi.
Ky institucion ka vendosur të rrëzojë qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti, duke sqaruar se deputeti Arifi ishte dënuar me vendim të formës së prerë dhe vota e tij për formimin e qeverisë u konsiderua e pavlefshme.
“Gjykata e sheh të nevojshme që të sqarojë po ashtu se, duke u nisur nga parimi i sigurisë juridike, si dhe nga fakti se ky Aktgjykim nuk mund të ketë efekt prapaveprues, vendimet e Qeverisë aktuale mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, thuhet në vendim.
Kushtetuesja ka dërguar vendin në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë, që nga dita e shpalljes së tyre.