Qeveria Kurti II, gati 100 ditë pushtet, analistët e cilësojnë të ngadaltë punën e ekzekutivit

Analistët në Kosovë e konsiderojnë të ngadaltë dhe ende jo aq rezultative punën e qeverisë Kurti, e cila po mbush 100 ditë në pushtet. Në intervista për agjencinë “Kosovapress” ata kritikojnë edhe mospublikimin e një plani vjetor të punës.

Po bëhen 100 ditë nga riardhja në pushtet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e tij u votëbesua nga parlamenti më 22 mars dhe prej atëherë janë mbajtur gjithsej 17 mbledhje kabineti, ku është miratuar programi qeverisës, axhenda legjislative por, sipas drejtueses së Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, kanë munguar vendimet e mëdha.

“Mund të them se ka qenë një 100 ditësh më i ngadaltë nga ajo që është pritur nga kjo qeveri. Nuk ka pasur ndonjë vendim, ta quaj ashtu më madhor që prek interesin qytetar për këto 100 ditë, në krahasim me pritjet shumë të mëdha të qytetarëve, por edhe premtimeve të kësaj qeverie. Për dallim prej Kurti I që kishte vendime më të mëdha se kjo qeveri, tash Kurti II ka më pak. Çka mund të vërej është një mbyllje, pavarësisht se qeveria ka emëruar dy zëdhënës, kemi dikastere të ministrive që janë po thuajse totalisht të mbyllura…Çka është për neve më shqetësuese është mos publikimi i planit vjetor të punës. Do thotë Qeveria Kurti ka prezantuar programin 4 vjeçar, por jo planin e punës.”

Ekzekutivi i ri ka përmbushur disa objektiva në këtë periudhë të shkurtër: ka emëruar funksionarë të rinj në ndërmarrjet publike, ka propozuar një projektligj për fillimin e vetingut dhe kornizën antikorrupsion për çështjen e pasurisë së pajustifikuar, dhe së fundmi ka miratuar buxhetin e rishikuar për vitin 2021.

Megjithatë, Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, e vlerëson me hijedrita punën gati 100-ditore të qeverisë Kurti II.

“Kemi parë një performancë hibride edhe nga kjo qeveri. Në kuptimin se ka pasur në disa fusha përparim dhe në disa fusha edhe ngecje. Vlen të përmendet që kemi parë një agjendë ambicioze legjislative me mbi 190 projektligje të parapara. Disa janë dërguar në këtë periudhë, disa jo. Një iniciativë më mirë dhe pozitive është parë në fushën e sundimit të ligjit tek iniciativa për veting dhe ligji për konfiskimin e pasurisë. Ani pse në këtë drejtim ka pasur një tërheqje apo një stepje prapa. Por procesi po shkon mirë. Kemi parë edhe tek pandemia një rezultat miks, ka pasur një lojë ping-pongu mes ministrit të kaluar dhe ministrit Vitia dhe një ambiguitet në menaxhimin e pandemisë, sigurimin e vaksinave dhe të tjera. Pastaj gradualisht kemi pasur një përmirësim të gjendjes edhe në menaxhimin e Covdi 19.”

Me kalimin e muajve, qeveria Kurti ka ndryshuar edhe prioritetet, duke i kushtuar vëmendje më të veçantë politikës së jashtme.

“Në përgjithësi edhe ky 100 ditësh është dominuar nga disa ndikime të politikës së jashtme që kanë dominuar edhe politikën e brendshme, siç është dialogu Kosovë-Serbi. Ndonëse në fillim u trajtua si një prioritet i 5-6, por gradualisht është intensifikuar edhe prezenca e qeverisë në drejtim të dialogut dhe pjesëmarrja në takime të ndryshme. Kjo është një hap pozitiv, pavarësisht deklarimeve në fillim sepse kemi pa një paraqitje më të mirë në dialog, në kuptimin e shkuarjes në takime, përgatitjes dhe tentimit për të përafruar spektrin politik.”

Kurti shërbeu si kryeministër fillimisht prej 3 shkurtit deri në 25 mars 2020, dhe u rikthye pas zgjedhjeve të 14 shkurtit të këtij viti, të cilat nxorën të parën Lëvizjen e tij Vetëvendosja.

SHKARKO APP