Ramush Haradinaj paralajmëron “bashkimin me Shqipërinë”: Do të shkojmë në referendum, u dhamë fjalën fuqive por…

Bartësi i listës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë prezantimit të programit qeverisës, ka folur edhe për disa tema të hapura e për të cilat përgjegjës e ka bërë Bashkimin Evropian. Ai ka thënë se nëse Kosovën e lënë duke pritur, të paanëtarësuar dhe të paintegruar, atëherë mund të ketë edhe referendum për bashkim me Shqipërinë.

Haradinaj, gjatë një paraqitje para fushatës, ka shtruar një pyetje të hapur se çfarë do të ndodh pas katër apo pesë viteve nëse nuk ka progres të Kosovës, në rrafshin ndërkombëtar.

“Kam një pyetje të hapur për të gjithë ju. Çka ndodh pas katër ose pesë viteve nëse nuk ka progres në Kosovë, dhe duhet ta kuptoni saktë pse po e bëjë këtë pyetje. Nëse Kosova nuk është në dyert e NATO=së, e nëse Kosova nuk ka liberalizim të vizave nga BE-ja, nuk ka njohje nga pesëshja e BE-së dhe na mbajnë vjerrë si na kanë mbajtur deri tash, e nëse nuk jemi në dyert e OKB-së çka ma andej, a do ta pranojmë atë që janë munduar me më bindë mua se Kosova është e lodhtë, e dobët, nuk mund BE-n të ketë Ushtrinë, pavarësimin energjetik, ligjin për Trepçën, se duhet të ulemi ne dialog me u nda me Serbinë në mënyrë që çka të jetë me fitu pavarësinë. A duhet me pranu këtë epilog njëherë në Kosovë, dhe kush mund ta pranojë këtë epilog, dhe nëse jo, atëherë çka..? A duhet të pranojmë se jemi në konflikt të ngrirë siç po thotë Vuçiqi nganjëherë atje?”, ka pyetur Haradinaj.

Haradinaj tha se Kosova nuk mund të pres derisa të tjerët të kenë disponim për të përfunduar shumë tema të hapura.

“Do të vjen ajo ditë që do të duhet me ditë presidenti i ri amerikan, kancelaria gjermane ose kancelarja ose kancelari i ri gjerman, se çka do t’i thonë Kosovës në vitin 2024, 2025, apo 2026, a kanë me i thënë rrini e pritni se kemi me bë diçka me juve. Nuk kemi me pranu me mbet as konflikt i ngrirë e as nuk kemi me pranu me na nda, por kemi me shku në referendum për bashkim me Shqipërinë, mbane mend këtë, jo se na po duam, por qe 20 vjet I kemi dhënë fjalën perëndimit që po duam me respektuar një vizion të përbashkët për një Kosovë euro-atlantike me hy në BE me shku në NATO, me u bë anëtare e OKB-së, me na njohë Serbia, dhe me dashtë BE-ja me i bindë pesë vendet me na njoh jo me na lënë kështu vjerrë gjatë, deshi Amerika na ndihmoi me marrë njohjen e Izraelit, ndërsa ku janë partnerët tanë evropian, pse na mbajnë kështu të izoluam, pse na lënë me pritë, e kohë pas kohe na thonë se e keni këtë faj e atë faj. A nuk pat asnjë faj Serbia dhe vendet tjera fqinjë, ata të përkryer apo? Nuk mund të rrimë vjerrë derisa dikush ta ketë disponimin me u kry çështja e Kosovës”, është shprehur Haradinaj.

SHKARKO APP