Ramush Haradinaj: Rama është vëllai im, mund të ketë pasur tejkalime në komunikim
Ramush Haradinaj ka folur për takimin e Berlinit, ku është thënë se pati një debat të ashpër midis tij dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.
Për këtë çështje ai tha se në bisedat me kryeministrin shqiptar, mund ta ketë tejkaluar komunikimin, por ky diskutim nuk ka qenë pjesë e takimeve zyrtare.
“Jo, jo, nuk praktikohet një gjuhë e tillë me ata udhëheqës. Në biseda të ndërsjella me kryeministrin edhe mund të kem tejkaluar ndonjë komunikim, mund ta kem bërë, se njerëz jemi, nëse debatojmë. Por nuk kanë qenë pjesë e diskutimit me takime zyrtare, komunikimeve zyrtare me palë zyrtare” tha Haradinaj për Abc neës.
“Unë besoj që do të tregoj respekt, nuk jam njeri i parespektueshëm në komunikim. Edhe nëse përdor një gjuhë apo një qasje, mund të kem arsyet e duhura, nuk e bëj rastësi apo koicidencë, po nëse rrethanat më krijohen të tilla, po” tha ai.
Më tej Haradinaj tha se ka kohë që nuk ka pasur takime me kryeministrin Rama, megjithatë e konsideron vëlla shqiptar, si konsideron çdo kryeministër të këtij vendi.
“Unë ka një kohë që nuk kam pas as takim, as diskutime dhe ndonjë temë të hapur me kryeministrin (Rama). Jam në opozitë prej një vit e ca. Jam me disa detyra të natyrave të tjera. E pashë se ai e kishte ndërlidhur në një rast, përvojën gjatë kohës që unë isha kryeministër, të komunikimeve të atëhershme, m’u duk e paarsyeshme. Kanë kaluar edhe kohë që atëherë, janë tema dhe rrethana të tjera.
E vërteta është që unë kam bërë kujdes në komunikim me të gjitha palët, njihem për një qasje të respektueshme me palët edhe kur nuk pajtoj. Por detyra ime në bazë të Kushtetutës së Kosovës është që të mbroja territorin, sovranitetin dhe interesat e Kosovës” tha ai.