Raporti i QKSS: 61% e të rinjve Kosovarë, janë të papunë
Shifra alarmante për shtetin e Kosovës, rreth 75 mijë qytetarë ikën nga vendi brenda 6 muajsh të 2015. Kosova prej një viti po përballet me largimin e popullsisë, me emigrimin e qytetarëve drejt vendeve të Europës, është një nga problemet me të cilat Kosova përballet çdo ditë e më shumë. Por cilat janë arsyet e këtij largimi masiv? Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar dy hulumtime që kanë në fokus analizimin e shkaqeve, pasojave të migrimit të parregullt dhe ndikimin në procesin e integrimit për Kosovën, gjegjësisht, në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Periudha më kritike e largimit të qytetarëve drejt vendeve të BE-së ishte prej tetorit 2014 deri në mars të këtij viti.
Sipas shifrave zyrtare të agjencisë së statistikave të BE-së, Eurostat, gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore, rreth 75,000 qytetarë kanë migruar në BE. Gjatë muajve tetor-dhjetor 2014, numri i qytetarëve që u larguan nga vendi ishte 25,880, ndërsa situata është përkeqësuar me shifrat kritike për tremujorin e parë të vitit 2015 (janar-mars 2015), ku 48,875 kosovarë u larguan nga vendi. Për më tepër, në periudhën janar-mars të këtij viti azilkërkuesit nga Kosova prinin për nga numri i kërkesave për azil, madje renditeshin në vendin e parë, gjegjësisht para vendeve si Siria dhe Afganistani.
Një nga shkaqet e para janë ato socio-ekonomike, Kosova edhe pse është një shtet që aspiron anëtarësimin në BE-së, ka shumë probleme në sektorin ekonomik. Papunësia në vend, siç shprehet dhe në raportin e QKSS, që janë afërisht 35.4 për qind e qytetarëve, të papunë. Tek të rinj shifrat janë ende të larta, ku 61 për qind e tyre janë të papunë. Faktorët si; papunësia, kushtet e vështirë socio-ekonomike dhe vështirësia për të gjetur punë renditen si më ato kryesore, për të cilën qytetarët e shteti i Kosovës po përballet me ikjen e tyre, me emigrimin e tyre kryesisht si azilantë në Gjermani. Por BE-ja e ka bërë të ditur se arsyeja ekonomike, nuk do ti favorizojë ata për të fituar të drejtën si azilant në shtetet Europiane.
Megjithëse faktori i parë është ai ekonomik, nuk anashkalohet dhe ai i rrjeteve kriminale që operonin në Kosovë dhe në Serbi, që ndihmojnë emigrantët kosovarë të lëvizin nga Serbia drejt BE-së. Rruga kryesore e migrimit të kosovare drejt BE-së ishte përmes Serbisë, përkatësisht qytetit të Suboticës ku ishin të përqendruar rrjetet e kontrabandistëve që bënin transportimin e emigrantëve prej atje drejt Hungarisë.
Policia e Kosovës nga ky hulumtim, rezulton jo e forte për të përballuar fluksin e largimit dhe ndalimit të tyre në pikat kufitare, sidomos në pikën kufitare me Serbinë. Gjatë periudhës kritike të migrimit masiv të kosovarëve, është vënë në pah se institucionet e Serbisë nuk kanë qenë të gatshme të bashkëpunojnë me ato të Kosovës për parandalimin e migrimit të parregullt dhe migrimit ilegal. Kosova është në proceset e liberalizimit të vizave, por që Komisioni Evropian e shikoi procesin e ri-pranimit pozitivisht deri më 2014. Faktorë si ikja, fluksi i emigrantëve i ka rihapur përsëri proceset e vlerësimit të vendit për heqjen e vizave.
Shtetet anëtare të BE-së, në veçanti Gjermania, Austria e Hungaria, u janë përgjigjur “me zero për qind” normë miratimi për Kosovën, pasi që fluksi më i madh i azil kërkusve vjen nga ky shtet. Vendimi për kthimin e azilkërkuesve nga Kosova u mor në bazë të vendimit se Kosova konsiderohet vend i sigurt origjine dhe se qytetarët mund të kthehen të sigurt nga gjithsej 12,780 vendime, pra afro 99%, ose 12.605 ishin negative.
Redjon Shtylla