Raporti me Izraelin/ Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA e Turqi: Jemi në një vijë me amerikanët, nuk prodhon dëme në marrëdhëniet ndërkombëtare
Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA dhe Turqi, Avni Spahiu, nuk sheh ndonjë problem që Kosova të hapë ambasadë në Jerusalem, pasi sipas tij, këtë e ka bërë edhe partnerja strategjike e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Spahiu thotë se njohja e Izraelit si dhe iniciativa për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, mund të shkaktojë reagime të shteteve të ndryshme të botës, porse nuk prodhon dëme në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ish-diplomati Spahiu, beson se në këto veprime, Kosova, ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të parat njohën Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit në vitin 2017.
“Nuk mendoj se kjo është një arsye që kjo të dërgojë në një acarim të skajshëm të raporteve me miqtë tanë (Turqinë dhe shtetet arabe), me vendet mike që kanë njohur Kosovën. Kjo është një çështje bilaterale mes Izraelit dhe Kosovës dhe në këtë aspekt do të duhej të ishte çështje vetëm për të dyja vendet”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.
Përveç Kosovës, presidenti amerikan, Donald Trump, bëri të ditur se edhe Serbia do të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.
Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi, thotë se fakti që edhe Serbia po zhvendos ambasadën në Jerusalem, minimizon shanset për një krizë diplomatike për Kosovën.
“Unë mendoj se njohja nga Izraeli ka qenë e kushtëzuar në një mënyrë ose tjetër me vendosjen e ambasadës në Jerusalem. Fakti se këtë gjë do ta bëjë edhe Serbia, mendoj se pak a shumë e tejkalon ndoshta një krizë diplomatike që do të mund të kishte Kosova në këtë rast”, thotë Baliqi.
Lajmi për njohje reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të Kosovës dhe Izraelit, u bë publik më 4 shtator në Zyrën Ovale nga presidenti amerikan, Donald Trump. Kjo ndodhi pasi Kosova dhe Serbia, nënshkruan nga një dokument me zotime për normalizim ekonomik.
Iniciativa e Kosovës për hapje të ambasadës në Jerusalem shkaktoi reagim të shtetit të Turqisë.
Ambasada e Turqisë në Prishtinë, tha se vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për gazetarë, të hënën, ka konfirmuar se ka pasur bisedë telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan për këtë çështje.
Thaçi tha se veprimi i Kosovës nuk rrezikon në asnjë formë miqësinë me Turqinë.
“Shqetësimi që kemi marrë edhe nga presidenti Erdogan sa i përket njohjes së ndërsjellë Izrael dhe Kosovë, unë jam në kontakt me presidentit Erdogan, kam diskutuar në telefon dhe kjo njohje Izrael-Kosovë nuk do ta cenojë partneritetin strategjik dhe miqësor, e vëllazëror me Turqinë”, tha Thaçi.
Zotimet e Kosovës dhe Serbisë për hapjen e ambasadave në Jerusalem i ka kritikuar edhe Bashkimi Evropian.
Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, në një konferencë për shtyp në selinë e Komisionit Evropian ka thënë se BE-ja shpreh “shqetësim dhe keqardhje serioze” për këtë. “Asnjë ambasadë e ndonjë vendi të BE-së nuk është në Jerusalem. As zyra e delegacionit të BE-së në Izrael nuk është në Jerusalem”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Por, i pyetur për reagimin e Bashkimit Evropian, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se njohja nga Izraeli është një hap i rëndësishëm i konsolidimit të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Kemi marrë një obligim dhe do të lëvizim përpara”, deklaroi kryeministri Hoti sa i takon hapjes së ambasadës në Jerusalem.
Ndërkohë, profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi, beson se pajtimi për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe njohja nga Izraeli, mund t’i sjellë njohje të reja Kosovës.
“Kjo do t’u hapë rrugë njohjeve të reja, njohjeve ndoshta të shteteve që kanë hezituar, por nuk e kanë kundërshtuar aq shumë pavarësinë e Kosovës. Izraeli ka qenë ndër këto shtetet që nuk e ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, por ka pasur hezitime sidomos për shkak të mosprishjes së raporteve me Serbinë. Mirëpo, tani meqë edhe Serbia po e zhvendosë ambasadën në Jerusalem, mund të ketë shtete që rikonsiderojnë njohjen e shtetit të Kosovës”, thotë Baliqi.
Në fund të vitit 2017, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi për vendimin e qeverisë së tij që të njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
Më këtë, SHBA-ja mori vendim që të zhvendoste edhe ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.
Veprimi i SHBA-së nxiti reagime të shumta ndërkombëtare, pasi shumica e fuqive botërore nuk e njohin sovranitetin e Izraelit mbi të gjithë Jerusalemin dhe thonë se statusi përfundimtar i tij duhet të vendoset përmes negociatave për paqe në Lindjen e Mesme.
Konflikti izraelito-palestinez është një konflikt i vazhdueshëm që ka filluar dekada më parë.
Ka pasur përpjekje të shumta për zgjidhjen paqësore të problemit, mirëpo konflikti është prezent edhe sot./Rel/