Reagon Ministri i Brendshëm i Kosovës për shpërthimin në Mitrovicë: Revoltë për arrestimin e tre serbëve

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, pretendoi se shpërthimi i një granate dore në Mitrovicë të Veriun mbrëmjen e 21 shtatorit, ishte në shenjë revolte për arrestimin e tre serbëve, nën dyshime për krime lufte.

“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë”, tha Sveçla.

Në raportin ditor të Policisë së Kosovës thuhet se shpërthimi i një granate dore është raportuar në orën 22:40 dhe “përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar”.

Tre serbë u arrestuan më 20 shtator në veri të Kosovës, nën dyshime për krime lufte. Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe dhe Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – i kanë cilësuar arrestimet si “të motivuara politikisht”.

“Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës”, tha Sveçla. REL

SHKARKO APP