Rebelohet Haradinaj: Thaçi e Mustafa, kukulla në raport me Serbinë
Ramush Haradinaj, ka hedhur akuza mbi presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, pas vendimit që të shkojnë në takimin e radhës me homologët nga Serbia. “Përcaktimi i Hashim Thaçit e Isa Mustafës, që pavarësisht rrethanave të krijuara nga sulmet e njëpasnjëshme të Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës, të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, është pozicion i kukullave”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.
Sakaq, ai ka komentuar zhvillimet e fundit dhe implikimet e Serbisë në Kosovë, duke i fajësuar liderët e institucioneve për qëndrime jo të përgjegjshme.
“Të ulësh në një tavolinë bisedimesh me Serbinë, që po i shkakton kaq shumë dëme Kosovës, kjo edhe përmes sulmeve e marifeteve të fundit, siç janë muri, treni dhe fletë-arrestet e sajuara, do të thotë të mos e kuptosh interesin e shtetit tënd”, ka shkruar ai.
“Të pranosh të ulesh e të dialogosh me Serbinë, në këto rrethana e në kohën e një kundërshtimi kaq të madh popullor kundër një dialogu pa kushte, do të thotë të mos e përfaqësosh popullin”, shkruan Haradinaj.