Refleksione nga takimi me Ramush Haradinaj
Nga Flamur Çelaj
U përqafuam në mes të asaj rruge tipike të Strasburgut, plot ballkone të gdhendura dhe lulet që kishin çelur ngado e që na tregonin se pranvera kishte ardhur. Lulet nuk e dinin, atë që dinë ata që kanë kaluar shumë mote! Plakat e dimrit vijnë pak më vonë me shpresë për të kapur gafil lulet e harlisura por të brishta nga i ftohti. Katedralja hijerëndë pak metra më tutje e di, se ka parë shumë mote. E dimë edhe Ne që i kemi parë sfidat e jetës, se Pranvera që ngjason me Lirinë nuk çlirohet kollaj nga kthetrat e Dimrit i cili nuk mjaftohet vetëm me zymtësinë e rëndë të regjimit të vet por nis surprizë plakat për ta marr sa më shtrenjtë haraçin e vet. Pikërisht për të bërë fli lulet më trimoshe, që çelin përpara të tjerave.
E pra, kjo është duke ndodhur sot!
Më duket sikur po ndahemi nga Ramushi dhe po e lëmë fatin e tij në dorë të ritualit të përhershëm të pabesisë që Dimri Uzurpator ofron kur humbet ndaj Pranverës Çlirimtare.
Por ai nuk është një Lule, ai është një Hero.
I kërkova komandantit, të qëndrojmë si mbështetje edhe ditën e gjyqit, por ai buzagaz më thotë se mbështetjen duhet ta japim në vendin tonë, se ai do përballet vet me për fatin e tij i bindur se do të fitojë ashtu si në Hagë. Do të triumfojë sikurse në Luftë.
Ramushi është i bindur se drejtësia sërish, do ta nxjerrë atë të pafajshëm dhe do ti rrëzojë të gjitha akuzat false që janë stisur për të.
Unë e besoj dhe do t’ju shpjegoj në refleksionin tim, përse e besoj fort në pafajësinë e tij.
Si fillim po ju tregoj momentin e nisjes nga Shqipëria, së bashku me mikun tim patriotin Blerim Gjeladini nga Peja. E fillova pelegrinazhin tim me mendimin se do mbështesja një komandant të UÇK që kishte luftuar për çlirimin e Kosovës dhe pavarësisht akuzave të montuara apo faji të sajuar, ne sërish do bënim tifozeri për të, ashtu sikurse serbët apo popujt e tjerë të Ballkanit bëjnë për ngjyrat e tyre … Por në rastin e Ramushit informacionet që mblidhja, më bënin të kuptoja se nuk po shkoja në Francë për të takuar thjesht komandantin e UÇK, por mbi të gjitha një njeri të spikatur dhe me vlera të jashtëzakonshme humane.
Rrugëtimit tonë iu shtuan të tjerë njerëz.
Zgjedhja ime ishte të përfaqësoheshim me nga një anëtar nga çdo trevë ku jetojnë shqiptarët. Mua dhe Gjeladinit, na u bashkua edhe Arian Rexhepi nga Tetova ndërsa një mik tjetër nga Ulqini nuk arriti të kthehej dot në kohë nga USA. Kështu pra: Uniteti qëndron mes nesh ashtu siç e ka lënë amanet Skënderbeu. Një vlonjat, një tetovar dhe një pejan. Vijnë nga 3 vise të ndryshme autoktone, ku jetojnë shqiptarët, të ndarë në 3 shtete, për të nderuar dhe takuar Komandantin Ramush Haradinaj në Francë.
Kur mbërritëm në Strasburg u takuam në hotel ….. Që në fillim më impresionoi me thjeshtësinë e tij. Një komunikim prej babaxhani zemërmirë dhe patrioti të vërtetë, që përtej mirënjohjes për vizitën tonë ishte më shumë i interesuar të dinte seç ndodhte në Shqipëri sesa të ndante me ne problemet dhe shqetësimet e tija! Orë pas ore kuptova se unë dija shumë pak për Ramush Haradinaj.
Aty kuptova se opinioni në përgjithësi është shumë pak i informuar se kush është realisht Ramush Haradinaj në planin njerëzor dhe intelektual.
Ndjeva se kjo botë mediatike nuk ka bërë korrekt punën e saj për një figurë emblematike, që i kalon përmasat e një luftëtari të zakonshëm dhe as që ka lidhje me akuzat monstruoze që bëhen në drejtim të tij.
Ramushi, për veprimet dhe qëndrimet e tij në luftë, mori certifikatën e nderit të luftëtarit patriot, pafajësinë nga Gjykata e Hagës.
Ramushi si politikan ka mbrojtur më shumë se të gjithë idealet e luftës.
Si lider politik ai ka mbrojtur kufijtë e Kosovës, pa kompromis, siç tregoi çështja e demarkacionit me Malin e Zi.
Si burrë shteti, megjithëse ka qenë kryeministër për një periudhë shumë të shkurtër, tregoi se nuk punon për privilegje, por për Kosovën. Por unë sot do shkruaj mbi atë që nuk di shumica e shqiptarëve të Shqipërisë, për atë që duhet të dinë Serbët dhe kushdo që mund të jetë informuar gabim apo të ketë krijuar përshtypje të rrejshme.
* Ramushi është Poliglot, flet rrjedhshëm disa gjuhë të huaja dhe nëse nuk do dija se me po komunikoja nuk do arrija ta dalloja nëse ai ishte shqiptar i Kosovës apo francez. Personeli i restorantit ku drekuam, është e sigurt që e perceptoi si francez. Nëna ime më ka thënë ‘Për sa gjuhë që di, aq herë je njeri’, Kështu që humanizmin e Ramushit duhet ta shumëzoni me numrin e gjuhëve që ai zotëron.
* Këtë vizitë nuk i çova asnjë dhuratë, se nuk dija çfarë do i pëlqente një komandanti të sprovuar në luftë. Pas këtij takimi do ti çoj një disk të artë me tre tenorët e famshëm! Ramushi ishte jo vetëm dëgjues i muzikës klasike por edhe një tenor i shkëlqyer, që më impresionoi me zërin e tij. A ka mundësi që një shpirt artisti të jetë edhe kriminel?! Unë them se jo.
* Surpriza e fundit ishte perceptimi i gabuar që kisha pasur deri në atë moment se kisha të bëja me një nacionalist që i erreshin sytë kur shikonte serbët. Por në bisedat që zhvillova me Të, paragjykimi im u rrëzua si një kështjellë prej rëre buzë detit nga vala e parë që e prek.
Koncepti i Ramushit ishte ai i barazisë mes popujve. “Ne nuk kemi marr gjë prej tyre në gjithë këto shekuj, kanë marr vetëm ata./ Tash ka ardhur koha tu themi boll se kemi edhe ne të drejtat tona. /Nuk kam asnjë gjë me shtetet fqinje, por nuk duhet t’u lëshojmë më, asnjë copë toke që është e Kosovës”, u shpreh Ramushi. “Nuk kam asnjë gjë kundra maqedonasve, por shqiptarët autoktonë në Maqedoni duhet të kenë të drejtat e tyre dhe gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare. / Nuk kam asnjë armiqësi ndaj popullit serb, por nuk mund të pranoj kurrsesi politikat shoviniste dhe gjakatare, të qeverive të Serbisë, ndaj popullit shqiptar në Kosovë.”
Ramushi mendon se popujt e Ballkanit do të njohin begatinë kur qeveritë e tyre do të njohin bashkëpunimin në kushte e të drejtave të barabarta ndër popujt e kësaj pjese të Evropës.
Siç i premtova do vazhdoj ta mbështes me gjithë forcën time në betejën e tij, që është e çdo shqiptari. Duke kontribuar sado pak me refleksionet mia nga takimi me këtë njeri të madh. Për t’ia paraqitur të gjithëve atyre që kanë sy të lexojnë dhe kanë mendjen e kthjellët të kuptojnë.
PS: Seanca e radhës në 6 Prill u krye. Akuzat shtesë ishin edhe më qesharake dhe të servirura shumë keq. Më datë 27 prill është gjyqi i radhës dhe unë jam optimist se akuzat e montuara do bien plotësisht. Pas këtij momenti e di që nuk mund t’i imponohem Serbëve që mos ta konsiderojnë armik Ramushin, por duhet tu kujtoj se edhe armiku respektohet kur rezulton se ka luftuar korrekt.